Impiant i energjisë diellore pranë Bilishtit – Shoqëria RTS kërkon të investojë 2.4 milionë euro
Pas ditë pas përcaktimit zyrtar nga ana e Entit Rregullator të Energjisë të çmimeve për kontraktuesit e ndërtimit të impianteve të energjisë diellore apo nga era, pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë ka ardhur një tjetër shprehje interesi për të ndërtuar impiante të tilla.
Bëhet fjalë për një aplikim për ndërtimin e një parku fotovoltaik me kapacitet 2 MW në zonën e quajtur “Tren-Bilisht” në Korçë.
Shoqëria “RTS” Sh.P.K. ka aplikuar pranë MEI për pajisjen me autorizim paraprak për ndërtimin e parkut të shtirë në një sipërfaqe prej 63,915 m2.
Investimi parashikohet të kushtojë rreth 2.4 milionë euro dhe në rast miratimi, çmimi me të cilin do të blihet energjia elektrike nga ky impiant vitin e parë do të jetë 100 euro/MWh.
Pas miratimit të skemës mbështetëse për prodhimin e energjisë nga burimet të rinovueshme, pranë MEI kanë mbërritur 6 kërkesa të tjera për ndërtimin e impianteve fotovoltaik, ndërsa ende asnjë për impiante eolike.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.