Zimbabveja e varfër do të ndërtojë universitetin 1 miliard dollarësh “Robert Mugabe”
Qeveria e Zimbabvesë planifikon të ndërtojë një universitet 1 miliard dollarësh, i cili do të mbajë emrin e Presidentit 93-vjeçar Robert Mugabe. Njoftimi erdhi të mërkurën nga ministri i arsimit të lartë, ndërsa kjo lëvizje është cilësuar nga opozita si një shpenzim i kotë parash.
Shteti afrikan përdor 90% të buxhetit të tij kombëtar për të paguar rrogat e administratës, duke lënë shumë pak fonde për ndërtimin e rrugëve, spitaleve apo shkollave.
Sipas Jonathan Moyo, Ministër i Edukimit të Lartë dhe Tretësor, ky universitet do të fokusohet në shkenca dhe teknologji, si edhe do të ketë një institut të fokusuar në kërkim dhe “lidership transformues e revolucionar”.
“Kabineti ka aprovuar një grant prej 800 milionë dollarësh për ndërtimin e Universitetit Rober Gabriel Mugave dhe një grant prej 200 milionë dollarësh për Fondin mbështetët të Universitetit, si edhe për kërkim dhe inovacion”, tha Moyo.
Godina pritet të ndërtohet në dalje të kryeqytetit Harare. Opozita këmbëngul se këto para duhet të shkonin për përmirësimin e kushteve të universiteteve të nënfinancuara në pjesën tjetër të vendit.
Studentët në universitete dhe kolegje shtetërore përballen me mungesën e akomodimit dhe infrastrukturën në rrënim. Me një papunësi zyrtare mbi 90%, shumica e të diplomuarve detyrohen të pranojnë punë informale, kryesisht të shesin mallra në rrugë, apo të kërkojnë punë në shtetet fqinje për të paguar studimet.
“Ky është populizëm që sfidon logjikën. Synon të përkëdhelë egon e Mugabes, pasi ne e dimë që qeveria është trokë”, tha zëdhënësi i partisë MDC.
Regjimi i Mugabes u duk premtues me marrjen e pavarësisë në 1980-ën, por lideri i plakur është akuzuar për prishjen e ekonomisë dikur më të mirë të rajonit, përmes politikave populiste si sekuestrimi i fermave të zotëruara nga të bardhët.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.