Indeksi i zhvillimit njerëzor, UNDP: Shqipëria fiton 10 pozicione, e 75-ta në botë
Shqipëria renditet e 75-ta në botë në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor të publikuar çdo vit nga Programi për Zhvillim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i njohur shkurt si UNDP.
Në analizë merren 188 vende të ndryshme të botës. Renditja për këtë vit përkthehet në një përmirësim në klasifikim me plot 10 pozicione në krahasim me vitin e mëparshëm.
Raporti i zhvillimit njerëzor që përmban edhe indeksin HDI, është ndër indekset më të rëndësishme në nivel global, për të mos thënë më i rëndësishmi prej tyre, pasi në bazë të indeksit HDI përpilohen edhe të gjitha raportet e tjera, përfshirë ato të Bankës Botërore, Kombeve të Bashkuara, Fondit Monetar Ndërkombëtar e organizmave të tjerë.
Përmirësimi në renditje të këtij indeksi përkthehet në përmirësime edhe në raportet e tjera. Në përpilimin e indeksit merren për bazë një sërë kriteresh, për të përcaktuar nivelin e zhvillimit të një popullsie të caktuar, si; të ardhurat për frymë, shkollimi, jetëgjatësia, pabarazia ekonomike, etj.
Raporti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është një ndër raportet më gjithëpërfshirëse, pasi bëhen renditje për thuajse çdo sektor.
Në krahasim me rajonin, Shqipëria renditet në pozita të mesme, duke lënë pas Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë, por duke u renditur më keq se Serbia apo Mali i Zi. Që prej vitit 1990, Shqipëria ka njohur një rritje konstante në këtë indeks, duke shtuar bindshëm pikët.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.