Ines Muçostepa: ”Jemi më mirë se 10 vite më parë!”
Për të diskutuar rreth figurës së gruas në botën e biznesit, në emisionin e së enjtes në ‘’Argument’’ ishte e ftuar Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë Ines Muçostepa. Sipas saj të qenit në biznes është baraz me guxim. ”Jemi në një shoqëri maskiliste, ku të bërit biznes pasqyrohet me një figurë burrërore prandaj jo të gjitha gratë e kanë sigurinë për të bërë biznes. Ajo çfarë vëmë re është fakti se ka më shumë bashkëpunim midis femrave në biznes sesa tek meshkujt, pasi ato punojnë fort në heshtje dhe janë më të ndershme sesa meshkujt. Gjithashtu nga statistikat që kemi bërë shifrat tregojnë se korrupsioni tek femrat që ushtrojnë biznes është më i ulët sesa ai i meshkujve. Kjo ndodh sepse femrat drejtojnë biznese me të vogla sesa meshkujt dhe kryesisht i gjejmë në sektorin e tregtisë dhe shërbimit. Bizneset e drejtuara nga femrat nuk janë pjesë e investimeve strategjike”- thekson ajo.
E pyetur rreth çështjes së pagesës, ajo shprehet se si në Europë dhe në Shqipëri meshkujt kanë tendencën të paguhen më shumë se femrat. “Femrat duhet të punojnë më shumë se meshkujt për të treguar se kush janë dhe sa vlejnë” shprehet Muçostepa.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.