Inflacioni statik – “Gozhdohet” nga çmimet e ulëta të importit dhe leku i fortë
Inflacioni nuk shënoi ndonjë rritje domethënëse as në muajin prill. Sipas të dhënave nga Instat, rritja vjetore e indeksit të çmimeve të konsumit ishte 2.1%, me një rritje të papërfillshme nga niveli 2% i muajit mars. Prej tre muajsh, inflacioni është i stacionuar pranë intervalit të poshtëm të objektivit të Bankës Qendrore.
Pas mbledhjes së javës së kaluar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë parashikoi që inflacioni për këtë vit do të qëndrojë pranë këtyre niveleve, ndërsa rritja drejt objektivit 3% pritet të ndodhë brenda vitit të ardhshëm.
Kthimi i inflacionit në objektiv po rezulton më i ngadaltë se parashikimet dhe vetë Banka Qendrore e ka shtyrë kthimin në objektiv rreth fundit të vitit 2019, ndërsa në parashikimet e mëparshme kjo pritej të ndodhte brenda mesit të të njëjtit vitit.
Përveçse me mosshfrytëzimin e plotë të kapaciteteve të rritjes së ekonomisë, së fundmi, frenimi i inflacionit po kushtëzohet gjithnjë e më shumë nga faktorët që nuk lidhen me kërkesën e brendshme.
Inflacioni i ulët në ekonomitë partnere sjell presione të dobëta për rritje çmimesh nga jashtë, të cilat po zbuten më shumë nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit valutor.
Duke pasur parasysh ndikimin e lartë të faktorëve të ofertës, për momentin, Banka e Shqipërisë ka vendosur të mos e sforcojë më tej politikën monetare dhe ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit.
Megjithatë, në deklaratën e fundit, Guvernatori Sejko nuk përjashtoi ndërhyrje të tjera në të ardhmen, nëse faktorët që po e frenojnë inflacionin do të forcohen më tej.
Gjatë prillit, grupi me peshën kryesore në shportën e çmimeve të konsumit, ai i ushqimeve, ruajti një inflacion në nivelin 3.1%, po aq sa në tremujorin e mëparshëm.
Si gjithmonë në muajt e fundit, produktet e freskëta bujqësore dhe ushqimore regjistruan nivele të larta të inflacionit, ndërsa çmimet janë në rritje të papërfillshme ose në rënie për shumicën e produkteve ushqimore të përpunuara.
Ndërkohë, luhatjet në grupet e tjera ekuilibruan njëra-tjetrën, duke bërë që inflacioni mesatar në ekonomitë të jetë i qëndrueshëm.
Rritja e çmimeve në grupet “Veshje e këpucë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse, energji”, u balancua nga rënia e inflacionit për grupet “Pije alkoolike dhe duhan”, “Transporti” dhe “Komunikimi”.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.