Inspekton punimet e ujësjellës- kanalizimeve – Gjiknuri: Një nga veprat transformuese për të gjithë qytetarët e Durrësit
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe kryebashkiaku Vangjush Dako kanë inspektuar punimet për rrjetin e kanalizimeve dhe të ujësjellësit në Durrës. Investimi për linjën e re të furnizimit me ujë për këtë qytet kap vlerën e 31.6 milionë eurove.
Faza e parë e investimit për ndërtimin e rrjetit sekondar të kanalizimeve në zonën e Plazhit me një vlerë prej 7.7 milionë euro ka përfunduar. Ndërkohë, po punohet aktualisht për fazën e dytë, financimi i së cilës është parashikuar një vlerë prej 5 milionë euro. Gjiknuri e cilësoi këtë investim me vlerë 50 milionë euro si nga veprat transformuese të Durrësit, sipas të cilit do t’i japë fund problemeve me ujin dhe kanalizimet.
“Është një nga investimet më të mëdha që do ti japë zgjidhje përfundimtare çështjes së ujit dhe kanalizimeve të qytetit të Durrësit. Një qytet mjaft i rëndësishëm nga pikëpamja ekonomike dhe turistike. Është një investim i garantuar plotësisht nga investimet e qeverisë shqiptare dhe nga komunikimi që kam patur me kryetarin e Bashkisë, puna sidomos vitin e fundit po ecën shumë mirë. Shpresojmë që të mbyllet në kohë dhe është një nga veprat transformuese për të gjithë qytetarët e Durrësit”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Durrësit shtoi se me këtë investim mbyllet përfundimisht edhe problemi me derdhjen e ujërave të zeza.
“Këto dy investime, së bashku me rehabilitimin e rrjetit të brendshëm të ujësjellësit dhe furnizimit me ujë të të gjithë qytetit të Durrësit, besojmë se në qershor të vitit 2019 ne do kemi zgjidhur përfundimisht ujësjellësin e furnizimin me ujë, ujërat e zeza dhe ujërat e bardha”, nënvizoi Dako.
Ndërkaq, Gjiknuri iu bëri thirrje edhe familjarëve që të ndjekin afatin e përcaktuar për të formalizuar lidhjet e ujit të pijshëm në mënyrë që të shmangin penalitetet.
“Të gjithë këto investime që të jenë të qëndrueshme duhet të kemi një shëndoshje financiare të sektorit. Shëndoshja financiare vjen nga pagesa e rregullt e ujit ashtu sikurse ndodhi me energjinë. Qytetarët që paguajnë nuk mund të mbajnë përsipër edhe ata që nuk paguajnë. Nëse të gjithë paguajmë, kemi mundësinë të bëjmë edhe më shumë investime”, u shpreh Gjiknuri.
Dako tha se aksioni për prerjet e lidhjeve të paligjshme të ujit në qytetin e Durrësit ka nisur. Ai shtoi më tej se kanë filluar jo vetëm lidhjet e reja, por edhe pagesat pranë sporteleve, të cilat sipas tij janë shumëfishuar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.