Inspektorët e mjedisit – Klosi: Brenda 20 ditëve harta e problematikave. Biznesi të bashkëpunojë
Brenda 20 nëntorit, Shqipëria do të ketë një hartë ku do të jenë të detajuara problematikat e mjedisit, për të filluar më pas me strategjinë e pastrimit. Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi gjatë një takimi me inspektorët ka urdhëruar këta të fundit të zbatojnë detyrën, jo përmes gjobave. Klosi kritikoi punën e dobët të inspektorëve në disa raste edhe duke u përfshirë në korrupsion.
“Ndotësit mjedisorë nuk janë anonimë. Askush nuk e ka ndotur mjedisin, as në fshehtësi dhe as nuk e ka fshehur ndonjëherë identitetin. Kjo ka ndodhur sepse askush nuk ka pasur frikë nga reagimi ligjor i strukturave tuaj. Nuk ka asnjë ndotës të kategorive të ndryshme i cili me zyrat e shtetit, nuk ka një kontratë për mbrojtjen e mjedisit. Në shumicën e rasteve kjo kontratë nuk është zbatuar dhe kjo është arsyeja që mjedisi konsiderohet si mall pa zot, pasi institucionet tona në asnjë rast nuk kanë qenë aty ku duhet për të kuptuar që realiteti është krejt tjetër”– theksoi ministri Klosi i cili vuri në dukje se funksionimi i institucionit të Inspektoriatit Mjedisor nuk është raporti me bllokun e gjobës, por është raporti me realitetin, duke shtuar se si në çdo inspektoriat tjetër, sistemi i gjobitjes do të bëhet online.
Klosi iu drejtua bizneseve që kanë ndikimin në mjedis se nuk është qëllimi sulmi ndaj tyre, por bashkëpunim për zbatimin e kontratave. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit theksoi se tashmë janë ngritur grupet e punës për pastrimin dhe se ky aksion pritet të përfundoj brenda 300 ditëve.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.