Integrimi në Bashkimin Europian – Doganat “raportojnë” në Bruksel
Ekonomia dhe institucionet shqiptare gjithnjë e më tepër po i afrohen standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian. Kështu në takimin e Nënkomitetit të 9-të mbi Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet midis BE-së dhe Shqipërisë, që u zhvillua në Bruksel, zyrtarët shqiptar “raportuan” mbi zhvillimet e fundit dhe ecurinë e proceseve drejt BE.
Takimi u bashkëkryesua nga Georg Ziegler, Zëvendës Shef i Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian dhe Albana Shkurta, Zëvendës Ministre e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Delegacionit të BE, në Tiranë, takimi ofroi një mundësi për të vlerësuar progresin e arritur nga Shqipëria gjatë vitit të kaluar, veçanërisht në lidhje me përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis përkatës të BE-së.
Përfaqësuesit shqiptarë informuan për arritjet në lidhje me eliminimin e masave me efekt të njëjtë me kufizimet sasiore për të siguruar lëvizjen e lirë të mallrave, masat për të lehtësuar procedurat tatimore dhe zhvillimet më të fundit legjislative në fushën e doganave.
Më tej, pala shqiptare ofroi statistika të kohëve të fundit për tregtinë, si dhe informacion lidhur me negociatat në vazhdim mbi marrëveshjet tregtare me vendet e treta, paraqiti një përditësim mbi politikat industriale, duke përfshirë mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) dhe informoi rreth masave për të përmirësuar mjedisin e biznesit në përputhje me angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Programit të Reformës Ekonomike (ERP). Gjithashtu, ofroi një përditësim mbi iniciativat më të fundit legjislative në fushën e turizmit, eksporteve dhe anti informalitetit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.