Interesat e bonove- Nuk ka sinjale rritjeje për muajin janar!
Interesat e bonove 12 mujore u shfaqën të qëndrueshëm edhe në ankandin e muajit janar. Sipas Bankës së Shqipërisë, bonot me maturim 12 mujor u emetuan të martën me një yield mesatar të ponderuar prej 1.76%, nga 1.77% që kishte qenë ky tregues në ankandin e fundit të muajit dhjetor. Kërkesa për të blerë bono në ankand u shfaq sërish e lartë dhe arriti shumë totale të 12.9 miliardë lekëve, kundrejt një shume prej 10.2 miliardë lekë bonosh të nxjerra në shitje nga Ministria e Financave. Kjo dëshmon se interesi i investitorëve për të blerë këto instrumente ngelet i lartë, ndërsa sektori bankar, që është edhe financuesi kryesor i borxhit qeveritar, vazhdon të jetë mjaft likuid.
As tërmeti i muajit nëntor nuk e trazoi shumë tregun financiar, që, me sa duket, nuk ka perceptuar rritje të rreziqeve që do të përktheheshin në norma më të larta interesi për të financuar huamarrjen e qeverisë shqiptare.
Vitin e kaluar, inflacioni pësoi rënie, ndërsa rritje ekonomike u ngadalësua ndjeshëm. Këto zhvillime pritet ta shtyjnë në kohë rritjen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë.
Duke mos pasur sinjale për një rritje të shpejtë të normës bazë dhe në mungesë të presioneve të mëdha mbi likuiditetin, pritet që interesat në tregjet financiare të qëndrojnë në nivele të ulëta edhe për këtë vit.
Familjet dhe bizneset do të paguajnë interesa të ulëta për huatë bankare dhe çmimi i lirë i parasë besohet të jetë një faktor që do të japë një kontribut në rritje për të nxitur kërkesën e brendshme në ekonomi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.