Investimet në rrjetin e ujësjellësit – Veliaj: Investimi zgjidh problemin për 120 mijë banorë në ish-bllok
Rreth 120 mijë banorë të zonës së ish-Bllokut dhe të Tiranës së Re do të furnizohen rregullisht me ujë të pijshëm, kjo falë rikonstruksionin e linjës kryesore të furnizimit me ujë në Bulevardin “Bajram Curri”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i UKT, Redi Molla, gjatë inspektimit të punimeve, theksoi se ky investim i jep zgjidhje për furnizimin me ujë pjesës më të madhe të Tiranës së Re.
Kryebashkiaku u ndal edhe në çështjen e furnizimit me ujë të pijshëm të kryeqytetit, ku grupet e Task-Forcës kanë nisur punën për prerjen e lidhjeve të paligjshme dhe për disiplinimin e abuzuesve. Veliaj garantoi se pavarësisht përmirësimit të situatës kontrollet për abuzimet nuk do të ndalen.
Veliaj deklaroi se nisma e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës ka rritur numrin e personave të cilët i janë drejtuar sporteleve të UKT për të lidhur kontrata për ujin e pijshëm dhe siguroi qytetarët e prekur nga kufizimet, se do të vijojë puna për furnizimin me bote. Bashkia e Tiranës bën me dije se deri më tani janë bërë 105 investime në rrjet dhe mbi 100 të tjera do të bëhen këtë vit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.