Investimet në shëndetësi – Manastirliu: 14 mln euro brenda 2018, ja spitalet që transformohen
Brenda këtij viti në sektorin e shëndetësisë do të realizohen investime të mëdha që kapin vlerën e 14 milionë euro. Kështu është shprehur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste.
“Nga Kukësi në Sarandë, ky vit do të njohë investime madhore në Shëndetësi, që kapin vlerën 14 milion Euro, vetëm për vitin 2018. Si asnjëherë më parë, 2018 do të jetë viti kur ne përfundojmë rehabilitimin tërësor të 80 qendrave shëndetësore”.
Sa i takon këtyre të fundit, brenda këtyre katër viteve janë parashikuar të ndërtohen 300 të tilla në të gjithë vendin.
Ndërkohë, më tej Manastirliu shtoi se brenda vitit do të përfundojnë investimet në Spitalin e Patologjisë Sarandë, Maternitetin Korçë, do të nisin investimet në Spitalin pediatrik të Durrësit, në Spitalin e Urgjencës dhe Patologjisë së Elbasanit, Poliklinikën e Vlorës etj.
Po ashtu, ministrja deklaroi se aktualisht po instalohen pajisje mjekësore në të gjithë spitalet rajonale të vendit, të cilat sipas saj kapin shifrën e 4.5 milionë euro, duke hapur shërbime të reja, si ai i urgjencës së zemrës në Fier, rezonancës në Elbasan, apo instalimi i Mamografive në 5 spitalet rajonale: Durrës, Vlorë, Dibër, Kukës dhe Gjirokastër”.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.