Itali, betohet qeveria populiste – Tusk bën thirrje për unitet dhe solidaritet me BE
Qeveria e re në Itali ka bërë betimin përpara presidentit, duke i dhënë fund muajve me radhë të paqartësive politike në ekonominë e tretë më të madhe në Eurozonë. Kryeministri, Giuseppe Conte dhe ministrat e kabinetit u betuan përpara presidentit, Sergio Mattarella, duke u bërë qeveria e parë anti-establishment në Europën Perëndimore, qëllimi i së cilës është ulja e taksave, rritja e shpenzimeve për mirëqenien dhe rishikimi i rregullave të Bashkimit Europian për buxhetin dhe emigracionin.
“Emërimi juaj vjen në një kohë vendimtare për Italinë dhe të gjithë Bashkimin Europian”, tha Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, në një letër drejtuar Contes. “Për të kapërcyer sfidat e përbashkëta, ne kemi nevojë për unitet dhe solidaritet, më shumë se kurrë”, vijon Tusk.
Në mbrëmjen e së enjtes, presidenti Mattarella miratoi listën e ministrave të krijuar nga Lëvizja 5 Yjet dhe Lega Nord, disa ditë pasi ngërçi politik tronditi tregjet financiare globale.
Kreu i Lega Nord, Matteo Salvini, do të drejtojë Ministrinë e Brendshme, ndërsa Luigi Di Maio, kreu i Lëvizjes 5 Yjet, do të drejtojë ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Të dy do të mbajnë edhe postin e zëvendëskryeministrit.
Ndërkohë, njeriu që trembi Bashkimin Europian dhe u refuzua nga Mattarella në postin e ministrit të Ekonomisë, Paolo Savona do të drejtojë ministrinë e Çështjeve Europiane. “Nëse arritën kompromis mbi emrin tim, do të thotë se e kuptuan që në fund të fundit, nuk jam edhe aq antieuropian”, deklaroi Savona pas betimit. Tashmë, qeveria e dy partive populiste do të përballet me votëbesimin në të dyja dhomat e parlamentit, ku ata ndajnë shumicën.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.