Kalifornia teston të ardhurat bazë për qytetarët – Paratë e ndihmës vijnë nga Facebook
Shtetet e Bashkuara do të eksperimentojnë për herë të parë konceptin e të ardhurave bazë dhe efektin që do të ketë në nxitjen e punësimit.
Rreth 100 familje nga qyteti Stockton në Kaliforni prej 300 mijë banorësh do të zgjidhen për të marrë një çek prej 500 dollarësh në muaj. Ndryshe nga disa forma të ndihmës ekonomike, apo nga i njëjti koncept i zbatuar në Finlandë, këtyre personave nuk do t’u kërkohet asgjë, madje as që të jenë në kërkim të punës.
Ideja i përket kryebashkiakut Michael Tubbs, i cili ka vendosur të ndihmojë kështu këto familje, në një qytet i cili prej vitesh lufton me varfërinë dhe papunësinë në rritje. Programi do të mbështetet nga “Projekti për Sigurinë Ekonomike”, i cili financohet pjesërisht nga një prej bashkëthemeluesve të Facebook.
Më herët edhe vetë Mark Zuckerberg i Facebook, apo Elon Musk i Tesla e kanë propozuar idenë si të pashmangshme në të ardhmen, për shkak të rritjes së hendekut të pagave dhe kërcënimit të humbjes masive të vendeve të punës si pasojë e automatizimit.
Programi nuk ka kaluar pa kritika dhe kundërshtime, të cilat bazohen në idenë se paratë falas mund të eliminojnë nxitjen e këtyre njerëzve për të gjetur një punë. Por, sipas kryebashkiakut, “të punuarit 12-14 orë në ditë dhe të mos arrish të paguash faturat krijon shumë stres”.
Banorët do të mund t’i përdorin të ardhurat për të paguar faturat, për të blerë ushqime, por edhe për të blerë një makinë apo televizor. Një pjesë e vetë banorëve të qytetit janë kundër kësaj nisme, për shkak të shqetësimeve se si do të përdoren paratë. Edhe në rast se projekti do të rezultojë i suksesshëm, për të qenë i financueshëm do të duhet të rriten edhe më tej taksat, duke arritur në 50% të PBB, një shtesë që qytetarët nuk janë të gatshëm ta paguajnë.
Megjithatë, Tubbs është optimist dhe në një intervistë është shprehur se pasi e kishte provuar varfërinë vetë, ishte bindur se shumë njerëz kanë nevojë thjesht për një dorë për t’i nxjerrë nga spiralja ku kanë rënë. Sipas tij, është pikërisht ky qëllimi i të ardhurave bazë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.