Karantina pengon rimëkëmbjen gjermane. IFO ul projeksionet për 2021, pret heqjen e masave në verën e ardhshme
Instituti IFO në Gjermani, pret që ekonomia më e madhe e Europës të rimëkëmbet më pak se ç’pritej në vitin e ardhshëm, ndërkohë që masat e ashpra të karantinës po pengojnë konsumin dhe investimet. Kancelarja Angela Merkel dhe liderët shtetërorë rivendosën masat më 2 Nëntor, nën të cilat, restorantet dhe baret u mbyllën, por dyqanet dhe shkollat qëndruan të hapuar. Këtë javë, masa të reja më të ashpra janë bërë efektive, që mbyllin pjesën më të madhe të dyqaneve.
IFO uli projeksionet për Produktin e Brendshëm Bruto për vitin e ardhshëm në 4.2%m nga 5.1% që priste më parë. Për vitin 2022, Ifo rriti projeksionet në 2.5%. Analistët thonë se rimëkëmbja po vonohet për shkak të masave të reja të karantinës. Për rrjedhojë, prodhimi i mallrave dhe shërbimeve nuk pritet të arrijë nivelet e përpara pandemisë, deri në fund të vitit 2021. Për shkak masave të reja, institucioni pret që ekonomia të tkurret në tremujorin e katërt. Për vitin e plotë 2020, pret një rënie me 5.1%.
Analistët presin që masat do të relaksohen gradualisht nga muaji Prill dhe të hiqen tërësisht në Verë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.