Karburanti për prodhimet bujqësore – Qeveria ia lë në dorë tenderin Ministrisë së Bujqësisë, do bëjë dhe shpërndarjen
Qeveria ka ndryshuar procedurat e prokurimit publik për karburantin që do tenderohet për përdorim nga fermerët, duke autorizuar Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si autoritetin përgjegjës për këto blerje. Përmes një vendimi, të muajit nëntor ekzekutivi ka përcaktuar se këto blerje nuk do të bëhen nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, duke e futur prokurimin e karburantit të fermerëve te rastet përjashtimore.
Ndërsa paralelisht, e ngarkon këtë dikaster edhe me përgjegjësinë e shpërndarjes së karburantit. Rreth një muaj më parë qeveria prezantoi një regjim të ri fiskal mbi karburantin për prodhimin bujqësor, që do të aplikohet nga viti që vjen, teksa kryeministri Edi Rama tha se fermerët do e përfitojnë falas përmes një karte të veçantë.
Sipas qeverisë, aktualisht janë 47 mijë që disponojnë NIPT, ndërkohë që përmes formalizimit që mendohet të sjellë skema e shpërndarjes së karburantit falas, mendohet që ky numër do të arrijë në 70 mijë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.