Konkurs edhe për HEC-et e vogla – Ligji i ri: Do të bëhen me procedurë garuese, ndryshime dhe për ndarjen e OSHEE
Ndërtimi i hidrocentraleve të vogla, deri në 2 MW do t’i nënshtrohet procedurave konkurruese, ndërkohë që do të jetë Këshilli i Ministrave që do të miratojë rregullat që do të ndiqen për miratimin e këtyre kapaciteteve prodhuese të energjisë.
Gjithçka përcaktohet në disa ndryshime në ligjin “Për sektorin e energjisë”, të nxjerra për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke rishikuar procedurat e deritanishme që nuk kërkonin një konkurrim për HEC-et e vogla deri në 2MW, që nuk janë objekt koncesioni.
Gjithsesi, ligji nuk ndryshon procedurat e miratimit, të cilat do të vazhdojnë të bëhen nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për energjinë.
Ndërkaq, projektligji sjell ndryshime edhe në drejtim në procesit të ndarjes së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, duke qenë se direktivat e Bashkimit Evropian kërkojnë një numër elementësh që lidhen me pavarësinë funksionale të menaxhimit.
Për këtë arsye, përcaktohet se Operatori i Sistemit të Shpërndarjes duhet të ketë të drejta efektive të plota vendimarrëse, të pavarura nga shoqëria e integruar e energjisë elektrike, lidhur me asetet e nevojshme për funksionimin, mirëmbajtjen ose zhvillimin e rrjetit të Shpërndarjes.
Sipas relacionit shoqërues, këto ndryshime vijnë pas rekomandimeve të bëra nga Komuniteti i Energjisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.