Kostot e “vrasësit” të heshtur! Ende larg rimbursimit të pajisjeve për diabetikët
Diabeti është një sëmundje kronike me kosto të lartë sociale, shëndetësore dhe ekonomike. Tek personat me diabet, rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë se tek personat pa diabet, ose amputimet e këmbës janë 10 herë më të shpeshta se tek personat pa diabet. Por, ka edhe kosto ekonomike, sepse diabetiku ka nevojë për medikamente, trajtime dhe ekzaminime që shpesh janë të kushtueshme. Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut me të paktën 25%.
Diabeti ka kosto të lartë sociale, sepse diabeti nuk prek vetëm një njeri, nëse ka një person në familje me diabet e gjithë familja, komuniteti, preket dhe ndikohet në mënyra të ndryshme nga kjo sëmundje. Por, për një pacient me diabet në vendin tonë është më e vështirë që të përballet me smundjen. Kjo për një sërë faktorësh ekonomiko-socialë, që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në numrin në rritje të personave që humbin jetën si rezultat i kësaj sëmundjeje. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, diabeti prek rreth 5% të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në botë sot numërohen 366 milionë diabetikë dhe në vitin 2030 mendohet të jenë 520 milionë diabetikë, apo 6,3 % e popullsisë së botës të jetë prekur nga diabeti.
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka zgjeruar listën e barnave të rimbursueshme me medikamente të reja si dhe ka zgjeruar disa prej paketave shëndetësore me shërbime të reja të mbuluara nga sigurimet. Në listën e barnave të rimbursueshme janë përfshirë edhe dy barna të reja antidiabetike. Një hap pozitiv ky, por jo i mjaftueshëm për të lehtësuar barrën e rëndë ekonomike që përballojnë diabetikët duke blerë çdo ditë nga xhepi i tyre fishat për matjen e glicemisë, aget, pompat e insulinës etj. Këto pajisje vazhdojnë të jenë të parimbursuara, ndonëse fillimisht u premtua se do të rimbursoheshin përgjatë 2015-s.
Gjatë vitit 2016 u paralajmërua nga Ministria e Shëndetësisë rimbursimi i fishave të diabetit dhe lenteve intraokulare të kataraktit të syrit, por nuk u realizua, pasi siç u tha atëherë po punohej për kornizën ligjore që do të bënte të mundur miratimin për herë të parë të listës së pajisjeve mjekësore të rimbursueshme. Ndërkaq në Raportin për “Buxhetin e vitit 2017”, parashikohej një shtesë prej 23 milionë lekësh në projektbuxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për blerjen e fishave për fëmijët diabetikë. Por që nga miratimi i buxhetit në muajin dhjetor, Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me diabet, pohon se nuk ka marrë asnjë përgjigje jo vetëm për rimbursimin e fishave, por edhe për çështje të tjera të parashtruara në një kërkesë për informacion drejtuar FSDKSH-së.
Konkretisht, në kërkesën e saj nënvizohet domosdoshmëria për lehtësimin e procedurave për marrjen e insulinave nga pacientët; apo problemi i KEMP-it ku diabetikët e tipit 1 rezultojnë si invalidë të plotë dhe duhet të marrin barna me 100% rimbursim, por ndërkohë marrin vetëm rimbursim të pjesshëm. Burime nga Ministria e Shëndetësisë janë shprehur për revistën “SCAN Magazine” se fondi prej 23 milionë lekësh për rimbursimin e fishave për diabetikët nuk ka nisur të përdoret. Kjo vonesë vjen si rezultat i ndërrimit të shpeshtë të drejtuesve të vetë fondit, që ka sjell si rezultat edhe vonesën e kalimit të kornizave ligjore në Komisionin e Ekonomisë e më pas kalimin në parlament.
Shqipëria, të paktën 60 mijë diabetikë
Prevalenca e diabetit në Shqipëri në popullatën adulte është 1.9%, që do të thotë se kemi afërsisht 60 mijë diabetikë të njohur. Në fakt numri duhet të jetë 2-3 herë më i lartë, pasi në disa depistime të kryera në Tiranë prevalenca e diabetit të padiagnostikuar ka qenë 3-4%, që do të thotë se në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë. Mosha më prekur nga diabeti është grup-mosha 40-65 vjeç që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç. Pikërisht këtu qëndron edhe rreziku i diabetit që po prek moshat që janë aktive për punë, por këmbanat po bien sepse forma e diabetit 2 po takohet edhe tek fëmijët. Diabeti që takohet më shumë është diabet tip 2 me 90% dhe 10% diabet tip 1.
Sipas Prof. Ass. Florian Toti sëmundja kronike e diabetit është në rritje, vetëm për vitin e fundit ishte sëmundja që merrte më tepër nga buxheti i Fondit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, gati 20% të buxhetit për rimbursimin e medikamenteve. Ndërkohë që pacientët, por edhe vetë mjekët prej vitesh kërkojnë që të bëhet rimbursimi i fijeve, por edhe futja e medikamenteve të reja në listë.
“Sa i takon pjesës së rimbursimit, është e rëndësishme që të përfshihen në listë fijet, aget, lancetat dhe për të vazhduar pastaj me medikamentet e mirëfillta ku ai që duhet përmendur në radhë të parë është glukagoni, i cili është një medikament që siguron cilësinë e jetës së fëmijëve me diabet, por siguron edhe një mbijetesë të madhe ndaj hipoglicemive,” shprehet ai.
Një tjetër problematikë ka të bëjë me organizimet e shërbimeve të ofruara për pacientët me diabet, ku është këmba diabetike që është bërë gangrenë e mirëfilltë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Shërbimi i endokrinologjisë dhe pacientët me diabet, në radhë të parë, po bëhen si një top futbolli që po hidhen sa te Spitali i Traumës, sa te Sanatoriumi, pa iu dhënë një zgjidhje të mirëfilltë. Ka një vendim të ministrit të Shëndetësisë për pjesën e amputimit. Ky vendim zgjidh vetëm pjesën e amputimit, por nuk zgjidh pjesën si ta ndalojmë amputimin dhe si ta trajtojmë të sëmurin para se të shkojë te amputimi.
“Një tjetër problematikë është retinopatia diabetike, e cila po fillon të bëhet një problem i madh, sepse po shtohen rastet e të sëmurëve me probleme të shikimit te diabetikët. Shërbimit shëndetësor publik nuk i ofron shumë zgjidhje në këtë drejtim. Ne e ngremë si problem këtë pjesë që të shikohet me përparësi, sepse ashtu siç i kushtohet vëmendje pjesës kardiovaskulare, të mos harrojmë që 70% e të sëmurëve me diabet kanë probleme kardiovaskulare, pra tek ajo pjesë që shkojnë në hemodinamikë, një pjesë e mirë janë edhe të sëmurët diabetikë. Ashtu siç dëmtohet zemra dhe enët e gjakut, dëmtohet edhe syri, dëmtohet edhe veshka. Ndaj duhet t’i kushtohet vëmendje më e madhe kësaj pjese,” thotë Toti.
Shpenzimet e një diabetiku
Asim Toro, në të njëjtën kohë pacient me diabet, por edhe kreu i shoqatës së Fëmijëve dhe të Rinjve me diabet, shprehet se diabeti i shkatërron ekonomikisht familjet shqiptare.
“Më në vështirësi janë ato familje që kanë një person me diabet në shtëpi dhe nuk kanë mundësinë që ta trajtojnë siç duhet, e kjo bën që në mënyrë automatike të rriten edhe shpenzimet që do të duhet të përballojë më vonë jo vetëm familja në fjalë, por edhe shteti. Për ne si pacientë me diabet janë bërë shumë premtime për lehtësim të “barrës” që na duhet të përballojmë. Por fakt mbetet se ne kemi më shumë barriera dhe me më shumë kosto ekonomike, siç ka ndodhur me tërheqjen e insulinës së tretë. Kemi një sërë kërkesash ndaj shtetit, në fakt janë të drejta që na takojnë me ligj,” thotë ai.
Kërkesat më të domosdoshme janë rimbursimi i fishave, glukagonit, ageve, aparateve matës dhe ageve të injeksionit për insulinë, të cilat janë përditë të domosdoshme, po aq sa edhe insulina që rimbursohet.
“Çdo vit presim me shpresë listën e re të rimbursimit të barnave me shpresën se do të rimbursohen edhe pajisjet e nevojshme për ne. Kemi kërkuar vendosjen në listën e rimbursimit për 30 pompa për rastet urgjente, ku çmimi për një pompë është 3 mijë euro, si dhe pajisjet e tyre, që kushtojnë 2 mijë euro në muaj për person. Këto janë të nevojshme për personat që kanë diabet me probleme si: hemodializë, dëmtime të syve, enët e gjakut të zemrës, trurit dhe ata që janë në karrocë. Për të siguruar sensorin e matjes së glicemisë duhen 700 euro dhe 300 euro në muaj për pajisje. Kostoja e portave të injeksionit shkon 100 euro në muaj për të gjithë ata që kanë diabet. Një lehtësi e madhe për ne si pacientë do të ishte edhe rimbursimi dhe sigurimi i reagentëve për analizën e hemoglobinës së glukozuar në të gjithë Shqipërinë, ose minimalisht në spitalet rajonale,” thotë ai.
Entela Barjamaj/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.