KQZ: Koha për transparencë financiare nga partitë – Kjo kërkon vëmendje në reformë dhe financim
Kryetari i Komisionit Qendrore të Zgjedhjeve, Klement Zguri, ka raportuar sot në Kuvend mbi veprimtarinë e institucionit që ai drejton gjatë vitit të kaluar, i cili përkonte me zgjedhjet parlamentare.
Sipas Zgurit, ky vit shënon një sërë arritjesh për KQZ, ku kryesoret janë nxjerrja e rezultatit brenda afatit ligjor për 90% të qendrave të votimit, si dhe monitorimi për herë të parë i financimit dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore.
Duke folur për reformën zgjedhore që po përgatitet nga Kuvendi, Zguri u shpreh i gatshëm të ofrojë ekspertizë teknike, si dhe ngriti disa shqetësime dhe sugjerime që kishin të bënin me trajnimin e dobët të komisionerëve të niveleve të dyta e të treta, si dhe ngritjen e Qendrës së Trajnimeve pranë KQZ për këtë qëllim.
Kreu i KQZ u ndal veçanërisht tek çështja e financimit të partive politike, e cila duhet të marrë një vëmendje të veçantë gjatë reformës.
“Amendimet ligjore të bëra nga Kuvendi në muajin Maj sollën monitorimin për herë të parë të fushatës zgjedhore në kohë reale dhe reduktuan shpenzimet e partive politike në fushatën elektorale, të paktën në dukje. Raportet e monitorimit janë burim transparence për financimin e fushatës, por sërish ekspertët financiarë hasën në vështirësi, pasi partitë politike gjejnë gjithnjë mënyra për të mos bërë transparencë të plotë”, u shpreh Zguri.
Në realizimin e transparencës së plotë financiare, Zguri u shpreh se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nevojë për mbështetje legjislative dhe financiare.
“Ka ardhur koha që ky Kuvend dhe kjo reformë të themelojnë një epokë të re në sistemin politik të vendit, EPOKËN E TRANSPARENCËS FINANCIARE. Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve harmonizimi i legjislacionit, transparenca e financimit të partive politike e fushatave zgjedhore, si edhe garantimi i pavarësisë, paanësisë dhe profesionalizmit të administratës zgjedhore, formojnë prioritete ligjore dhe organizative të dorës së parë. Por për t’u dalë zot të gjitha këtyre objektivave, KQZ-ja ka nevojë për mbështetje nga Kuvendi në procesin ligjbërës dhe nga Ekzekutivi në procesin e buxhetimit”, shtoi Zguri.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.