Kredia më “e mirë”? Është ajo për blerjen e shtëpive
Kredia për shtëpi e individëve është produkti më cilësor mes llojeve kryesore të huasë bankare. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, raporti i kredisë me probleme për këtë produkt në fund të vitit të kaluar ishte 5.7%. Gjatë vitit 2018, ky tregues ra me 1.3 pikë përqindje, ndërsa është afërsisht sa gjysma e raportit mesatar të kredive me probleme të sistemit bankar shqiptar.
Në tërësi, individët kanë një raport të kredisë me probleme shumë më të ulët krahasuar me bizneset. Në fund të vitit të kaluar, raporti i kredive me probleme për individët ishte 6.4%, ndërsa për bizneset ky tregues ishte në nivelin 14.3%.
Po të krahasojmë këto dy shifra, mund të kuptohet qartë pse në vitet e fundit kredidhënia ka qenë më e mirë te individët. Kjo iu mundëson bankave më pak përqendrime të mëdha dhe një shpërndarje më të mirë të rrezikut të kredisë. Në fund të vitit 2018, kredia për bizneset ishte rreth 13% më e ulët nga vlera më
e lartë e regjistruar gjatë 5 viteve të fundit. Ndërkohë, kredia për individët ishte 23% më e lartë nga ajo 5 viteve më parë.
Në tërësi, raporti i kredive me probleme është përmirësuar gjatë viteve të fundit. Fillimisht, kjo rënie është ndikuar sidomos nga fshirja e kredive të humbura, ndërsa së fundmi faktori që po ndikon më së shumti është shlyerja e kredive.
Gjatë vitit të kaluar, raporti i kredive me probleme zbriti në 11.1%, në rënie vjetore me 2.2 pikë përqindje. Në vlerë, për vitin 2018, kredia me probleme ra me gati 17% në nivelin 64 miliardë lekë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.