“Krimi do të financojë parandalimin e krimeve”! Nisma: 60% e të ardhurave nga pasuritë e sekuestruara, i shkojnë Policisë së Shtetit
Një pjesë e të ardhurave që do të mundësohen nga procesi i administrimit të pasurive të krimit do të shkojnë për Policinë e Shtetit.
Një projektligj i depozituar në Kuvend parashikon sanksionimin e masës jo më pak se 60% të fondit të përfituar nga zbatimi i ligjit, për llogari të Policisë së Shtetit.
Nisma e propozuar nga Këshilli i Ministrave praktikisht shton në listën e institucioneve përfituese për administimin e pasurive edhe Ministrinë e Brendshme, me qëllim, sipas relacionit, përmirësimin e funksionimit të drejtësisë penale. Këto të ardhura, sipas nismës, do të përdoren ngaPolicia e Shtetit në funksion të parandalimit të kryerjes së veprave penale.
“Sanksionimi i përfitimit nga Policia e Shtetit, në masën jo më pak se 60% të të ardhurave të përgjithshme nga zbatimi i këtij ligji, do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në motivimin dhe rritjen e proaktivitetit të këtij institucioni për zbatimin e këtij ligji, prej të cilave priten rezultate të prekshme menjëherë nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve.
Gjithashtu, kalimi i një pjese të konsiderueshme të të ardhurave nga zbatimi i këtij ligji për Policinë e Shtetit do të sigurojë fuqizimin e kapaciteteve profesionale e logjistike të kësaj të fundit, me qëllim forcimin e sofistikimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit” shkruhet në relacion.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.