Kriza e re po qetëson tregjet – Mohimi i qeverisë së populistëve, investitorët italianë gëzojnë
Pas një jave të gjatë në kaos, tregjet italiane janë qetësuar më në fund dhe kjo vjen si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e vendimit të Presidentit Mattarella për të mos dekretuar qeverinë.
Paçka se në një vend normal futja e vendit në krizë të re dhe më të thellë politike do të sillte probleme dhe trazira të rënda në tregje, ky nuk është aspak rasti i Italisë, pasi investitorët po reflektojnë masivisht largimin e shqetësimeve që lidheshin me vendosjen në krye të ekonomisë dhe financave të një njeriu kundërshtar të Euros si dhe të votimit të një programi ekonomik që mund të sillte shumë probleme të tjera sa i përket bilanceve të qeverisë.
Tashmë, këto shqetësime janë më larg se asnjëherë më parë gjatë këtyre muajve të pas zgjedhjeve. Tregjet e kanë reflektuar këtë fitore që me hapjen e sesionit të parë të kësaj jave, duke zhbërë kështu tërësisht efektin që pritej nga paralajmërimi i Moody`s për nisjen e procesit të deklasimit të borxhit sovran të vendit.
Indeksi FTSE Mib i Milanos, pasi humbi 4.5% gjatë javës së kaluar e ka nisur këtë javë në rritje. Edhe bursat europiane kanë fituar ndjeshëm nga gjysëm pikë përqindje në çelje të sesionit të së Hënës dhe ndikim ka pasur padiskutim dorëheqja e kryeministrit të mandatuar të qeverisë së ndryshimit, Giuseppe Conte.
Gjithsesi, optimizmi i ditës së sotme, me shumë gjasa do të pasohet nga ditë të tëra në rënie, sidomos për tregjet italiane, pasi destabiliteti politik dhe kriza pritet që të thellohen,
Përveç të tjerash, tashmë vendi nuk është më vetëm në krizë politike por edhe në një krizë institucionale. Nga ana tjetër, rreziku i një qeverie populiste nuk është zhdukur aspak nga skena, pasi zgjedhjet e reja mund të prodhojnë një qeveri të ngjashme, e ndoshta edhe më të fortë se ajo që të Dielën dështoi të dekretohej.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.