“Legalizohen” fasonët – Dy kompani italiane prodhojnë për firmat më të njohura
Kryeministri Edi Rama vizitoi dy kompani italiane që prodhojnë për tregun e huaj, madje edhe për marka të mëdha fashion në Europë, si dhe iu dorëzoi edhe lejen e legalizimit. EME dhe Italfashion e kanë vendosur biznesin në të njëjtën godinë, ku janë të punësuar 300 gra e vajza, por një pjesë e godinës ku është vendosur biznesi i tyre ishte ndërtim pa leje.
Duke i dorëzuar lejen e legalizimit, kryeministri theksoi se ajo, jo vetëm i jep fund një situate paligjshmërie, por nga një ndërtesë pa leje e kthen në kapital.
“Kjo fabrikë këtu është goxha e veçantë, se bën për Benetton, për “Max Mara”. Thashë me vete o Zot si erdhi puna, Benetton prodhon në Shqipëri në ndërtim pa leje. Edhe me leje, edhe pa leje nuk ka. Nga ky moment je në rregull deri atje, vetëm mos shko më andej. Nga ky moment që ti e regjistron i gjithë kapitali që ti ke harxhuar këtu të kthehet në kapital i gjallë. Kështu, ti mund të vësh kolateral, mund të vazhdosh të bësh investime, por të tjerat mund t’i bësh me leje të gjitha.”, tha Rama
Vetëm Italfashion nga ka 185 punonjës që ka aktualisht, synon që brenda një viti të arrijë në 300.
Duke folur për zhvillimin e këtij sektori në Shqipëri, sipërmarrësit italianë u shprehën të kënaqur me ecurinë e investimit, duke nënvizuar avantazhin e vendit, sidomos në ofertën e forcës së punës.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.