Lëvizje te partnerët tregtarë – Forcohet Kosova dhe Maqedonia e Veriut, bie Italia me 1.2 miliardë lekë
Të dhënat më të fundit të tregtisë së jashtme të vendit, veçse tregojnë një rritje të ndjeshme të deficitit tregtar gjatë shkurtit, me 23% në terma vjetorë, flasin edhe për një ndryshim të ndjeshëm të flukseve të tregtisë më vendet partnere. Në disa prej tyre, diferenca është e ndjeshme. Ajo që bie në sy qysh në krye të herës është Kosova, ku rezulton se eksportet e Shqipërisë janë rritur me 61% në krahasim me Shkurtin e vitit 2018, nga 1.2 miliardë lekë në 1.96 miliardë lekë.
Paçka se në vlerë të vogël, një rritje e ndjeshme e eksporteve vihet re edhe me fqinjët e tjerë, Maqedoninë e Veriut, me 33%, nga 426 milionë në 568 milionë lekë. E ndërkohë që tregtia dalëse me fqinjët tanë territorialë është rritur ndjeshëm, me rreth 1 miliardë lekë në krahasim me Shkurtin e një viti më parë, një rënie e lehtë vihet re me partnerët e tjerë më të mëdhenj, si Italia apo edhe Spanja. Me Italinë rënia fiksohet në 4.2%, nga 12.3 miliardë lekë në Shkurtin e vitit të kaluar, në 11.8 miliardë lekë në shkurtin e këtij viti.
Me Spanjën ndërkohë rënia është edhe më e madhe, në 29.7%, nga 2.2 miliardë lekë në 1.7 miliardë lekë. Sa i përket importeve ndërkohë. Turqia dhe Zvicra kanë pësuar rritje të ndjeshme, ndërkohë që Italia ka pësuar rënie. Volumi tregtar i Shqipërisë me Italinë, pra import plus eksport gjatë Shkurtit rezulton të jetë 1.26 miliardë lekë më pak se në Shkurtin e vitit paraardhës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.