Leyen mban fjalimin e parë në parlament. Premton një Europë të drejtë, të fortë dhe të bashkuar
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, mbajti fjalimin e parë të “State of the European Union” në seancën plenare të Parlamentit Europian, në një kohë që vijon rritja e numrit të të prekurve me koronavirus. Shefja ekzekutive e Bashkimit Europian solli një panoramë të matur për bllokun, ndërkohë që përballet me pandeminë dhe me recesionin më të thellë në histori, por njëkohësisht prezantoi edhe objektivat ambiciozë për ti bërë 27 vendet anëtare më të forta përballë krizave të ardhshme. Në fjalimin vjetor mbi gjendjen e unionit, Presidentja Ursula von der Leyen rikonfirmoi objektivat e shpalosur kur mori detyrën në muajin dhjetor: veprime të menjëhershme për të mbrojtur klimën dhe revolucioni dixhital. Leyen prezantoi planet për të ulur emetimet e gazrave serë në BE me të paktën 55% deri në 2030-ën, krahasuar me nivelet e vitit 1990, ndërsa objektivi i mëparshëm ishte 40%. Gjithashtu, shefja e Komisionit Europian bëri thirrje për investime më të mëdha në teknologji, për të konkurruar më fort me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Von der Leyen tha përpara europarlamentarëve se “ky është moment për Europën” për të besuar te njëri-tjetri dhe për të qëndruar të bashkuar.
“Do të promovojmë tregtinë e lirë në të gjithë botën. 600 mijë vende pune europiane janë të lidhura me Japoninë, ne do të përdorim ndikimin tonë për të arritur marrëveshje që bëjnë ndryshimin. Do të punojnë për të promovuar vetëm globalizimin, duke këmbëngulur për drejtësi dhe fushë të barabartë loje. Mbi taksimin dixhital duhet të ngrihet një sistem i drejtë. Ne do të sjellim propozime vitin e ardhshëm dhe dua që Europa të bëhet një avokat global”.
Fjalimi i Von Der Leyen vjen në një kohë që Europa përballet me shumë sfida, si koronavirusi, Brexit, tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara apo ndasitë që ekzistojnë mes vendeve Brenda unionit.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.