Lidhjet e paligjshme të ujit – 6 000 kontrata të reja, Bonati, prefektëve: Kontroll institucioneve
Rreth 6000 kontrata të reja janë lidhur me kompanitë e ujësjellës kanalizime, që prej nisjes së fazës së parë të operacionit për ujin e pijshëm. Të dhënat janë bërë me dije nga zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati gjatë një takimi të zhvilluar me prefektët e 12 qarqeve, në kuadër të reformës në sektorin e ujit të pijshëm.
“Tashmë është një fakt që ky aksion po sjell frytet e para që janë mjaft pozitive. Janë rreth 6 mijë kontrata të lidhura në një periudhë shumë të shkurtër për një muaj. 6 mijë kontrata të reja që po t’i referohemi madhësisë së bashkive, si të themi është formalizuar një bashki e tërë, për një afat kohor që është mjaft i shkurtër. Pra, ne synojmë që me kalimin e ditëve, deri në fund të kësaj periudhe të parë që është periudha e sensibilizimit, gjithë subjektet të ofrojnë shërbim të shpejtë, të vazhdojë procesi i formalizimit”.
Zv.ministri kërkoi që Prefektët të marrin një rol aktiv në ndjekjen nga afër të punës që bëjnë Bashkitë dhe ujësjellësat në zonat respektive, ndërsa u ndal dhe te kontrolli që ndaj institucioneve publike dhe nëpunësve të administratës.
“Duhet të marrim masa që të jenë korrekt në zbatim të gjithë legjislacionit në fuqi me kontrata të rregullta, me ujëmatës. Punonjësit e administratës publike duhet të japin shembullin e tyre të parë për këtë. Duke e përshkallëzuar këtë edhe tek bizneset të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre, ku në mjaft raste ka edhe shpërdorues të ujit dhe duke vazhduar më pas deri tek qytetarët. Fokusi do të jetë institucionet publike, bizneset dhe pastaj do të jetë ndërhyrja tek qytetarët”.
Faza e parë e operacionit të ujit përfshin vetërregullimin, çka do të thotë se të gjithë abonentët kanë afat deri në datën 1 shkurt për të lidhur kontratat e ndërmarrjet e ujësjellësve apo të vendosin matësit, pa u penalizuar sikurse përcakton legjislacioni në fuqi.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.