Luftë informalitetit… në booking.com – Ahmetaj: Mbi dy miliardë euro të ardhura nga turizmi
Shqipëria do të kërkojë informacion nga platformat elektronike të prenotimeve për të luftuar informalitetin në sektorin e turizmit. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha të hënën se informaliteti do të luftohet edhe në nivelin e strukturave të vogla familjare, që i shpëtojnë syrit të inspektorëve tatimorë.
Ahmetaj tha se të ardhurat nga turizmi pritet të arrijnë në mbi dy miliardë euro këtë vit. Ky sektor po e rrit peshën e tij me rreth 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Aktualisht, vlerësohet se ky sektor sjell rreth 15% të prodhimit kombëtar. Sipas ministrit, në rajonet kryesore turistike numri i të punësuarve gjatë sezonit të fundit është rritur me rreth 12 mijë vetë.
Ministri Ahmetaj vlerësoi se politikat nxitëse fiskale kanë pasur një ndikim të konsiderueshëm në këtë sektor. Ai tha se bizneset e këtij sektori kanë paguar rreth 5.7 milionë USD TVSH më pak, vetëm si efekt i uljes së kësaj takse për shërbimet akomoduese, nga 20% në 6%. Sipas tij, lehtësitë fiskale në këtë sektor po tërheqin interesin e investitorëve të rinj. Deri tani, janë paraqitur katër projekte në Ministrinë e Turizmit për të ndërtuar hotele me pesë yje.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.