“Luxottica-Essilor” shkakton frikë – Shkrirja do të shqyrtohet nga BE, shqetësohen shitësit me pakicë
Rregullatorët e konkurrencës së Bashkimit Europian do të takojnë përfaqësuesit e kompanive “Luxottica” dhe “Essilor” këtë javë, për të shprehur shqetësime mbi planin e tyre të shkrirjes që do të krijojë një superfuqi botërore të syzeve prej 46 miliardë euro.
Firma italiane “Luxottica” është prodhuesi më i madh në botë i syzeve, duke zotëruar marka si “Ray-Ban” dhe “Oakley”, me 9.000 pika të shitjes me pakicë. Ndërkohë, kompania franceze “Essilor” është prodhuesi më i madh në botë i lenteve optike.
Komisionerja e konkurrencës, Margrethe Vestager tha më herët gjatë muajit se marrëveshja do të përballet me një shqyrtim të detajuar duke parë vlerën gjigante në treg të kompanive.
Komisioni po kërkon për një opinion nga të gjithë palët e interesuara. Disa shitës me pakicë shqetësohen se grupi “Essilor-Luxottica” do t’i eklipsojë, duke patur mundësinë për të ofruar marka të fuqishme dhe lente optike me çmime që këto nuk do të mund t’i arrinin pa dëmtuar marzhet e tyre.
Firma britanike “Specsavers” deklaroi se ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm dhe do të rezultojë në një zinxhir gjigant të furnizimit me ndikime për industrinë e konsumatorët në të gjithë botën.
Prodhuesit e lenteve po e vëzhgojnë gjithashtu marrëveshjen, duke marrë parasysh se “Essilor” do të ketë akses te zinxhirët retail të “Luxottica”, që shtrihen në Amerikë, Europë dhe Azinë e Paqësorit.
“Essilor” deklaroi në muajin Korrik, kur raportoi të ardhurat për tremujorin, se do të ketë një reagim sfidues nga tregu për shkrirjen.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.