Marrëveshje e re mes DPT dhe QKB -Shkëmbim të dhënash në kohë reale!
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Qendra Kombëtare e Biznesit kanë nënshkruar një marrëveshje të re mes tyre, të cilat do të përdorin Protokollin e përmirësuar të Shkëmbimit Elektronik të të Dhënave, i cili siguron shkëmbimin dhe transmetimin e të dhënave midis dy institucioneve në kohë reale. Ky proces ka si qëllim lehtësimin e ndjekjes së procedurave ligjore nga ana e tatimpaguesve në praktikën e tyre me secilin prej institucioneve tona.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj dhe Drejtoresha e përgjithshme e QKB, Pranvera Fagu, nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila e vendos në një nivel të ri e të përmirësuar, ndërveprimin mes dy institucioneve. Dy drejtueset theksuan se bashkëpunimi institucional midis palëve është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm, pasi ndihmon në zbatimin sa më korrekt të të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi korrekt i ligjit dhe koordinimin e veprimeve për pasqyrimin real të të dhënave të subjekteve apo tatimpaguesve në dosjen e tyre elektronike.
Përmirësimet e kësaj marrëveshjeje të re bashkëpunimi sigurojnë:
- Pasqyrimin e ndryshimeve ligjore të paketës fiskale të vitit 2019,
- Shkëmbimin e të dhënave në mënyrë elektronike duke hequr një pjesë të konsiderueshme të procedurave shkresore.
Marrjen dhe shkëmbimin e të dhënave shtesë midis dy institucioneve për subjektet të cilat janë pjesë e regjistrit tregtar dhe administrohen nga QKB. - Krijimin e mundësisë për konsultimin në kohë reale të situatës tatimore të tatimpaguesit/subjektit me qëllim zvogëlimin e afatit kohor të procedurave për ekzekutimin e kërkesave të tyre.
Elefteria Zguri/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.