Masat për sezonin turistik – Manastirliu: Nga sot, hapen 26 qendra shëndetësore verore në shërbim të pushuesve
Duke nisur nga dita e sotme, 26 qendra shëndetësore verore do të vihen në shërbim të pushuesve përgjatë gjithë sezonit turistik. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manstirliu, teksa prezantoi në Vlorë planin e masave të MSHMS-së në kuadër të sezonit turistik.
Manastirliu tha se këto qendra do të ofrojnë shërbim të pandërprerë në çdo ditë të javës.
“26 qendra shëndetësore verore janë në shërbim të pandërprerë përgjatë të gjithë vijës bregdetare dhe në zonat me turizëm malor deri në mesin e muajit shtator. Kemi vendosur një standard të ri për qendrat shëndetësore, të cilat ofrojnë kushte dinjitoze për pushuesit e shumtë vendas dhe të huaj që frekuentojnë Shqipërinë gjatë sezonit turistik”, tha Manastirliu.
Sipas saj, janë 119 mjekë të cilët janë trajnuar për rastet e emergjencave që do të shërbejnë 24 orë në të gjitha zonat turistike të vendit. Çdo qendër verore është pajisur me një gamë të gjerë barnash dhe artikuj materialesh mjekësore të cilat mbulojnë jo vetëm sëmundjet e stinës, por edhe urgjencën mjekësore.
Ndërkohë, krahas këtyre qendrave, Manastirliu tha se është bërë edhe riorganizimi i shërbimit të urgjencës në territor, ku janë vendosur 17 ambulanca në zonat më të frekuentuara turistike, të cilat janë pajisur me të gjitha pajisjet bazë mjekësore.
“Veç qendrave verore, 17 autoambulanca janë përcaktuar në pika kyçe përgjatë gjithë bregdetit dhe zonave turistike më të frekuentuara: Nga Valbona deri në Sarandë. Nisur nga nevojat e vitit të kaluar, kemi vendosur për herë të parë një autoambulancë fikse në Dhërmi dhe 1 në Jal gjatë fundjavës, ku fluksi I turistëve është i lartë”, tha ministrja.
Po ashtu, sipas Manastirliut në gatishmëri të plotë do të jenë edhe spitalet, veçanërisht ato pranë zonave turistike për të përballuar edhe fluksin gjatë sezonit turistik.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.