Matje shpejtësie edhe natën – Aksioni në autostradë, Policia pezullon 26 leje drejtimi
Policia Rrugore e Tiranës ka zhvilluar ditën e shtunë në mbrëmje një aksion në autostradën Tiranë-Durrës për rritjen e parametrave të sigurisë në fundjavë.
Të pajisur me dragera (ose matësit e alkoolit) dhe radar për matjen e shpejtësisë, Policia ka raportuar për disa orë shkelje të shumta nga ana e drejtuesve të mjeteve.
Për shkeljen e tejkalimit të shpejtësisë, Policia Rrugore ka pezulluar 15 leje drejtimi, duke regjistruar shpejtësi nga 141 deri në 185 kilometra në orë.
Numri i drejtuesve që kanë tejkaluar shpejtësinë gjatë orëve të vona të natës ka qenë edhe më i lartë, por Policia ka zgjedhur të këshillojë 4 drejtues të cilët po udhëtonin me shpejtësi mbi normën për shkak të urgjencave mjekësore. Në një rast automjeti me një fëmijë tË sëmurë është shoqëruar me urgjencë nga patrulla e Policisë Rrugore.
Sa i takon shkeljes së drejtimin nën ndikimin e alkoolit, Policia ka pezulluar 11 leje drejtimi, ndërsa mësohet se një drejtues mjeti është arrestuar.
Aksioni është zhvilluar edhe në rrugët e kryeqytetit, ku janë konstatuar 36 shkelje të mosvendosjes së rripit të sigurimit, të cilat janë shoqëruar me masën administrative, gjobë.
Ndërkohë, për shkeljen e semaforit, janë dërguar për komision 8 drejtues mjetesh.
Policia Rrugore sqaron drejtuesit e mjeteve se qëllimi i këtyre aksioneve nuk është sasia e masave administrative por siguria e jetës.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.