Mbështetje financiare për bizneset – Në tre vite trajtohen 255 biznese, në 2019 fondi është 771 mln lekë
Zgjerimi i numrit të bizneseve të profileve të ndryshme që përfitojnë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit do të shkojë në 255 të tillë në tre vitet në vijim.
Në këtë kuadër Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të ketë një rritje të buxhetit deri në 65.6 miliardë lekë në 2021 nga 60.8 miliardë lekë që është aktualisht.
Nga analiza që i bëhet buxhetit për të tre vite në vijim bie në sy se për programin Mbështetje për zhvillimin ekonomik do të kemi luhatje të fondit. Nga 670 milionë lekë që është aktualisht në vitin që vjen do të shkojë në 771 milionë lekë gjatë vitit që vjen.
Vlerën më të lartë të fondit ky program do ta ketë në vitin 2020, ku shteti shqiptar do të shpenzojë rreth 781 milionë lekë për zhvillimin ekonomik, vlerë kjo që do të pësojë një ulje të lehtë në vitin 2021 duke shkuar në 779 milionë lekë. Ndërsa nga programi “Tregu i punës” synohet të punësohen në total 7,260 të papunë nga grupet e veçanta.
Gjithashtu në tre vitet në vijim do të përfshihen në programet e nxitjes së punësimit të praktikave profesionale rreth 2,250 të rinj të sapodiplomuar në arsimin e lartë. Buxheti që do të përdoret për tregun e punës do të pësojë rritje nga viti në vit. Nga 2.1 miliardë lekë që është aktualisht do të shkojë në 2.5 miliardë lekë në vitin 2021.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.