Mifid II në Janar – Rregulla të ashpra për sektorin financiar në BE, ndikime globale
Disa rregulla të reja pritet të hyjnë në fuqi për sektorin financiar europian në datën 3 Janar, që do të kenë pasoja të mëdha për industrinë. Reformat pritet t’i hedhin dritë mënyrës se si tregtohen aktivet.
Çdokush që blen apo shet aksione, obligacione, valuta, lëndë të para apo fonde të listuara në bursë (ETFs), do të ndikohet nga këto standarde të reja.
Komisioni Europian nisi legjislacionin e quajtur Direktiva e Tregjeve në Instrumentet Financiarë, apo Mifid II, pas setit origjinal të rregullave që u zbuluan në prag të krizës financiare të vitit 2008.
Rregullat fillestare synonin të integronin tregjet financiarë të ndarë dhe ulur kostot e tregtisë. Fokusi kryesor ishte te aksionet, por tashmë Mifid II synon të zgjerohet edhe në klasa të tjera të aktiveve, si rregullimin e kontratave mbi banak (OTC).
Rregullatorët financiar në Europë thonë se rregullat e reja do të përmirësojnë besimin e investitorit dhe fuqizojnë industrinë. Rregullat do të ndikojnë tregtitë edhe jashtë vendeve anëtare të BE.
Opsionet, që kanë një aktiv të derivuar që listohet në Europë, do të përfshihen në legjislacion. Një tjetër shembull do të jetë një bankë aziatike që shet instrumente financiar drejt një klienti të BE.
Institucioneve globale që ndërmarrin tregtitë i kërkohet gjithashtu që të zhvendosen nga tregtitë në telefonata drejt platformave elektronike për të lejuar një auditim më të mirë.
Rregullat e reja detyrojnë gjithashtu manaxherët e fondeve që të paguajnë brokerat dhe bankat në mënyrë të ndarë, për hulumtimet dhe shërbimet e tregtisë, në mënyrë që të rritet transparenca, ndërkohë që klientët do të shohin në mënyrë direkte se si do të përdoret paraja e tyre.
Firma e konsulencës Oliver Wyman vlerëson se shpenzimet globale në hulumtim mund të bien me 1.5 miliard në vit, kur rregullat të hyjnë në fuqi gjatë Janarit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.