Ministria e Drejtësisë – Sistem unik për noterët, përmbaruesit dhe çështjet
Ministria e Drejtësisë do të ngrejë një sistem të ri komunikimi që synon të lehtësojë punën e 1100 përdoruesve që i përkasin fushave të ndryshme nga noterët tek përmbaruesit.
Aktualisht kjo ministri jep shërbime të ndryshme për qytetarët dhe bizneset përmes katër sistemeve ku përfshihen shërbime transaksionare që sigurohen nëpërmjet sistemeve online si Regjistri Noterial Shqiptar, Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve Përmbarimore, sistemi i Manaxhimit të Çështjeve te Gjykatave dhe Certifikata Gjyqësore.
“Të gjithë këta përdorues paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë ankesa mbi problematikën e hasur gjatë punës së tyre me këto sisteme, deri tani këto ankesa vijnë nëpërmjet e-mail, telefonatave dhe shkresave zyrtare dhe trajtohen në mënyrë manuale nga Drejtoria përkatëse në ministri. Të gjitha këto sisteme janë të hostuara në ambientet Ministrisë së Drejtësisë dhe nuk ka asnjë infrastrukturë rezervë dhe asnjë sistem që të bëjë të mundur njoftimin mbi problematikat qe dalin nga mosfunksionimi i tyre”, thuhet në argumentin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ky sistem pritet që të kushtojë rreth 27 milionë lekë.
Nertila Maho/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.