Ministrja Denaj prezanton drejtorët e rinj të Tatimeve dhe Doganave
Janë prezantuar ditën e sotme drejtuesit e rinj të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Tatimeve. Gjatë ceremonisë së prezantimit ishin të pranishëm zv.kryeministri Erion Braçe si dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila vlerësoi edhe punën e bërë gjatë vitit të kaluar nga dy administratat.
Sipas Denaj, komunikimi me biznesin, rritja e transparencës si dhe lufta kundër informaliteti do të jenë prioritetet kyçe edhe për këtë vit për dy administratat.
Ndërsa, Braçe tha se e gjithë vëmendja e administratave do të përqendrohet drejtësi dhe barazi në çdo transaksion që do të kryhet.
“Nëse ne jemi ligjorë, nëse ne jemi te drejtë, nëse ne jemi të barabartë me secilin prej operatorëve që operojnë në treg, padiskutim që i kemi dhënë mundësi ekonomisë të jetë edhe konkurruese, por edhe e lirë në raport me atë që zhvillohet në secilin treg ku operatorët operojnë. Kështu që, veprimi i çdo nëpunësi tonë në raport me këto elementë do jetë ajo që përcakton më tutje edhe vlerësimin e punës së gjithsecilit”, tha Braçe.
Ndërsa, dy drejtuesit e rinj, Enton Duro dhe Arlind Gjokutaj, prezantuan objektivat e tyre në lidhje me drejtimin e institucioneve që do të drejtojnë, si dhe shprehën vullnetin e mirë për rritjen e bashkëpunimit edhe me sipërmarrjen.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.