Miratohet vendimi/ Çfarë funksionesh do të kryejë ministri i Shtetit për Standartet e Shërbimeve
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrit të Shtetit për Standardet e Shërbimeve. Ministër Shteti për Standardet e Shërbimeve është emëruar Milva Ekonomi.
Referuar vendimi, ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse harton, bashkërendon dhe zbaton politikat shtetërore që synojnë standarde të larta të shërbimeve publike, të ofruara për ushtrimin e të drejtave të qytetarëve dhe përmirësimin e jetesës, lehtësimin e ofrimit të shërbimeve publike, sigurimin e cilësisë dhe përballueshmërisë së tyre.
Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, harton, zhvillon dhe monitoron politikat shtetërore dhe strategjitë për:
a) sigurimin e standardeve në ofrimin e shërbimeve publike;
b) rritjen e cilësisë së shërbimeve në çdo sektor publik;
c) lehtësimin e ofrimit të shërbimeve publike;
ç) rritjen e efektivitetit të shërbimeve për të garantuar aksesin e qytetarëve në marrjen e shërbimeve publike.
Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve koordinon dhe monitoron hartimin e standardeve dhe bashkëpunimin midis institucioneve të administratës shtetërore që ofrojnë shërbime publike.
Ministri i Shtetit për Standardet e Shërbimeve koordinon dhe, rast pas rasti, udhëheq procesin e riinxhinerimit dhe derregullimit, me qëllim thjeshtimin, rritjen e efiçencës dhe të efikasitetit të shërbimeve publike të ofruara nga institucionet e administratës shtetërore.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.