Monte dei Paschi rikthehet në lojë – Tregtohet përsëri në bursën e Milanos, rritet 15% në sesionin e parë
Banka më e vjetër në botë, Monte dei Paschi di Siena, është rikthyer në tregun e aksioneve pas një pezullimi 10-mujor me një performancë fantastike në ditën e parë të tregtisë.
Aksionet e bankës italiane janë tregtuar për herë të fundit në Dhjetor të 2016-ës, kur huadhënësi i’u drejtua qeverisë për ndihmë, pasi dështoi të gjejë blerës për emetimin e 5 miliardë euro të aksioneve.
Vlera në treg e Monte dei Paschi u hap në 4.1 euro në tregtinë e së Mërkurës, duke arritur më vonë në 4.73 euro për aksion, një rritje me 15% brenda ditës.
Megjithatë, ky nivel është poshtë 6.49 euro të paguar nga Shteti në muajin Gusht, kur injektoi 3.85 miliardë euro drejt bankës, gjë që solli një humbje për taksapaguesit e vendit.
Humbja ishte akoma më e madhe për zotëruesit e titujve të borxhit të bankës, ku përfshihet kompania e sigurimeve Generali, për shkak të rregullave të Bashkimit Europian për këmbimin e borxhit në aksione, gjë që zhvendos humbjen drejt investitorëve përpara se të ndërhyjë shteti.
Në këtë konvertim, aksioni u çmua në 8.65 euro dhe banka gjeneroi 4.47 miliardë euro nëpërmjet kësaj procedure.
Shteti po kompenson disa nga zotëruesit e vegjël të titujve të borxhit, duke i’u blerë aksionet dhe duke rritur zotërimin te huadhënësi në 68%.
Për të marrë miratimin e ndihmës shtetërore, Monte dei Paschi ra dakord në një plan të ristrukturimit me autoritetet e Bashkimit Europian, ku përfshihej reduktimi i 5,000 vendeve të punës dhe shitja e 26 miliardë euro në kredi të këqija.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.