Mosdeklarim i te hollave në kufi – Policia sekuestron 15 mijë paund dhe procedon penalisht 1 shtetas
Policia e Shtetit ka bërë me dije se është parandaluar dhe goditur një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi, si rezultat i kontrolleve të imtësishme të zhvilluara nga shërbimet e Policisë Kufitare duke sekuestruar në cilësinë e provës materiale 15000 paund dhe proceduar penalisht poseduesin e tyre.
Sipas njoftimit si rezultat i kontrolleve të shtuara nga ana e Policisë Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Policisë, në hyrje të RSH-së, në aeroportin e Rinasit, pas analizës së riskut, kanë ndaluar shtetasin F. K., 29 vjeç, banues në Mat.
“Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar, shtetasit të lartpërmendur, në çantën e shpinës iu gjeten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 15000 paund,” bën me dije Policia. “Në përfundim të veprimeve shtetasi F. K. u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime te mëtejshme.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.