Mosdeklarim parash në kufi – Policia sekuestron mbi 86 mijë paund dhe arreston në flagrancë 1 shtetas
Policia e Shtetit njofton se Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me seksionin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës dhe autoritet doganore, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit.
Sipas njoftimit si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë, në hyrje, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, një fugon mallrash që vinte nga Italia, me drejtues shtetasin E. H.
Policia bën me dije se gjatë kontrollit të kryer në fugon, në një televizor, u konstatuan 16 pako me para, paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale ndërsaq në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, rezultoi se në pakot e sekuestruara në cilësinë e provës materiale kishte 86.740 paund.
Sipas informacionit të publikuar në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, shtetasi E. H., 21 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.
“Ndërkohë nga strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë implikuar në këtë vepër penale”, shkruhet në njoftim..
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.