Moskovici: BE pret angazhime “të besueshme” nga Italia në buxhet
Komisioneri i Bashkimit Europian për Çështjet Ekonomike tha të martën se ekzekutivi i BE është duke pritur për lëvizje konkrete dhe “të besueshme” nga Italia për të rishikuar buxhetin e saj të vitit 2019 që tani është në kundërshtim me rregullat e BE.
Pierre Moscovici tha se bisedimet me Romën tani po ecin me një ritëm intensiv, por theksoi se Komisioni ishte “duke pritur për më shumë detaje”.
“Ne kemi nevojë për angazhime që duhet të jenë të besueshme”, tha ai në një konferencë shtypi.
Buxheti ekspansionist i Italisë synon shpenzime më të larta për pensionet dhe shpërndarjen e mirëqenies, shkruan Euronews.
Moscovici theksoi se Komisioni nuk po ndërhynte me politikat fiskale të zgjedhura nga qeveria italiane, por po përpiqet të sigurojë që ato të jenë në përputhje me rregullat fiskale të BE.
“Nuk jemi duke kundërshtuar reformën e pensioneve, zgjedhja është për qeverinë italiane, sepse është në dorën e qeverisë italiane për të bërë zgjedhjet e veta politike”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.