Nafta, në rënie modeste – Nigeria mund të rrisë eksportet në vijim
Çmimet e naftës kanë vazhduar tendencën në rënie edhe gjatë sesionit të sotëm, për shkak të raportimeve se Nigeria do të rrisë eksportet e naftës.
Por rënia surprizë e rezervave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ndihmuar në kufizimin e humbjeve.
Ndërkohë, Turqia përsëriti kërcënimin se do të ndërpresë furnizimin me naftë nga rajoni i Kurdistanit, në veri të Irakut.
Kjo deklaratë bëri që nafta Brent e Londrës të rritet drejt 60 dollarëve për fuçi në ditën e hënë, niveli më i lartë që nga qershori i vitit 2015.
Nafta Brent e Londrës ka fituar 22% të vlerës gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, performanca më e mirë tremujore që nga periudha korrik-shtator e vitit 2004.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC dhe 11 prodhuese të tjerë, me në krye Rusinë, kanë vendosur të ulin prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë nga janari i këtij viti deri në mars të 2018.
Gjithashtu, vihet re edhe një zgjerim i diverencës mes naftës brent të Londrës dhe naftës Bruto amerikane, në nivelin më të lartë në rreth 2 vite.
Përsa i përket të dhënave në SHBA, rezervat e naftës bruto ranë me 761,000 fuçi javën e kaluar, ndërsa rafineritë kanë rritur prodhimin.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.