Nafta tregtohet pranë 111 dollarë për fuçi – Tregu, i balancuar mes kërkesës në rënie dhe furnizimit të ulët

Nafta po shfaqet e qëndrueshme në sesionin e parë të kësaj jave, ndërsa investitorët janë të shqetësuar për ngadalësimin e ekonomisë globale, që do të ndikojë edhe kërkesën. Megjithatë, tregu po gjen një mbështetje nga furnizimi i tregut, që vijon të tkurret.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 111 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 108 dollarë për fuçi. Ndërkohë, prodhimi nga 10 anëtarët e Organizatës së Vendeve Prodhuese të Naftës (OPEC) ra me 100 mijë fuçi gjatë qershorit, në totalin e 28.52 milionë fuçive.
Rënia e ndjeshme e prodhimit nga Nigeria dhe Libia është kompensuar nga rritja e prodhimit në Arabinë Saudite. Eksportet e Libisë kanë rënë mes 365 mijë dhe 409 mijë fuçi në ditë, nga rreth 865 mijë fuçi që janë kuotat normale ditore.
Gjithashtu, edhe greva e punonjësve të naftës dhe gazit në Norvegji mund të ulë prodhimin me rreth 130 mijë fuçi, gjatë kësaj jave. Investitorët po presin edhe të dhënat zyrtare mbi çmimet zyrtare për gushtin nga Arabia Saudite, që është eksportuesi më i madh i naftës në botë.
Sipas një sondazhi të Reuters, çmimi referencë i Arabisë Saudite do të rritet me rreth 2.4 dollarë, krahasuar me muajin e kaluar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.