Ndalimi i importit të makinave të prodhuara para 2009-s, Konfindustria: Pasoja të rënda në ekonomi
Ndalimi i importit në Shqipëri për makinat e prodhuara para vitit 2009 do të sjellë pasoja të rënda për qytetarët, bizneset dhe ekonominë kombëtare. Sipas Konfindustria kjo masë e marrë si qëllim për mbrojtjen e mjedisit nuk qëndron në vendin tonë, pasi 87 për qind e ndotjes vjen nga përdorimi i karburanteve dhe mjetet motorike.
“Arsyetimi i përfaqësuesve të ekzekutivit, që masa e mësipërme ka si qellim mbrojtjen e mjedisit, nuk qëndron në rastin e Shqipërisë. Sipas te gjitha studimeve del, qe jo më pak se 87% e ndotjes mjedisore të karburanteve vjen nga cilësia jashtë çdo standardi te lejueshëm në qarkullim dhe më pak se 13% vjen nga teknologjia e mjeteve motorike. Cilësia e dobët, që vjen nga përdorimi i sasive shtesë të palejueshme të karburantet të tregtuara, është arsye thelbësore e përvetësimit edhe të mbi 150 milion euro taksa të paguara nga qytetarët dhe biznese”, thuhet në deklaratën e Konfindustria.
Konfindustria deklaron, se në kushtet e Shqipërisë vendime të tilla të rëndësishme sikurse është përcaktimi i afatit kohore, 10 vjeçar të ndalimit të importit të makinave, jo vetëm nuk japin zgjidhje për ndotjen mjedisore, por mund të prodhojnë pasoja negative prej dhjetëra milionë euro/vit kosto shtesë të papranueshme për qytetarët, biznesin, prekin edhe me tej shkallën e ulët të motorizimit krahasues të vendit duke goditur drejtpërdrejt fuqinë konkurruese rajonale të ekonomisë kombëtare.
Për të ulur nivelin e ndotjes, Konfindustria shton se duhet filluar nga përmirësimi me një dorë të hekurt të cilësisë së standardit të karburanteve që qarkullojnë në tregun vendor.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.