Nuk ka subvencione pa paguar kontributet – Ahmetaj: Në prill nis lëvrimi i fondeve të BE

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj ishte në Korçë, ku zhvilloi një takim me fermerë në Maliq, për të diskutuar mbi skemën e pensioneve në fshat.
Aktualisht po punohet për disa ndryshime në ligjin që parashikon masën e kontributeve për të vetëpunësuarit në bujqësi. Ndryshimet parashikojnë që ata të kenë detyrimin të paguajnë kontributet e llogaritura mbi pagën minimale për ta, por të kenë gjithashtu mundësinë të paguajnë edhe mbi nivelin e pagës minimale në shkallë vendi, nëse duan të përfitojnë një pension më të lartë.
Ministri theksoi se në fshat, akoma skema e pensionit dhe kontributi vullnetar që duhet secili fermer të paguajë për moshën e tij të tretë është larg asaj që duhet të jetë, ndaj Ministria e Financave do të ndërmarrë një fushatë sensibilizuese, ndërgjegjësuese në të gjithë territorin e Shqipërisë për të treguar se nëse qytetarët nuk paguajnë kontribute në skemën e sigurimeve shoqërore sot, ata mund të përfitojnë në moshën e pensionit vetëm pension social, në masën 8 mijë lekë në muaj.
“Kontributi që ju paguani nuk është para që i shkon shtetit për shtetin, nuk është një taksë. Kontributi është aty, një formë depozitimi e juaja për ta rimarrë një ditë, kur të dilni në pension. Kontributi që ju paguani është para që ju kthehet mbrapsht në moshën e tretë dhe është shumë e rëndësishme që ta kuptoni si të tillë.
Dhe mos harroni që kur ju paguani 34.800 lekë të reja në vit, shteti subvencionon, pra bashkë-investon në pensionin tuaj më shumë se gjysmën, në mënyrë që të kapë nivelin e rreth 66 mijë lekë kontribut në vit për ta përputhur atë që ju do të merrni si fermerë kur të dilni në pension, që të jetë gati e përafruar me atë që marrin në zonat urbane”, tha Ahmetaj.
Ahmetaj shtoi se përfshirja në skemën e kontributeve, është gjithashtu e rëndësishme për fermerët, në kuadër të përfitimit të fondeve nga skemat e mbështetjes në bujqësi.
“Një pjesë e juaj që prodhojnë në bujqësi kanë dhe një kusht për të përfituar nga skemat tona të mbështetjes në bujqësi. E para është kontributi i drejtpërdrejtë i buxhetit të shtetit, nëpërmjet AZHBR, për të subvencionuar, për të mbështetur fermerët, fermat dhe çdo iniciativë e lidhur me bujqësinë, me agroindustrinë apo nesër me agroturizmin. Por, ka një kusht dhe kushti është që ti të jesh i financueshëm, i mbështetur nga këto skema të bujqësisë, do të duhet patjetër të kesh qenë pjesë e formalizuar e kontributit”, u shpreh ministri.
Ahmetaj tha gjithashtu detaje mbi funksionimin e skemës mbështetëse nga BE, IPARD e cila në periudhën prill-maj do të fillojë dhe procedurat e lëvrimit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.