Ndërhyrja në rrugët rurale- Forcat e Armatosura rehabilitojnë 16 km në Dibër
16 km rrugë rurale në Bashkinë Dibrës janë rehabilituar nga Forcat e Armatosura, në kuadër të stërvitjes ‘Kompaktësimi 2018’. Përveç përgatitjes dhe trajnimit të efektivëve të batalionit të Xhenios për kryerje punimesh me mjete të rënda në terrene malore dhe kushte të vështira moti, rehabilitimi i rrugëve nga Muhurri në Selishte, u vjen në ndihmë edhe komunitetit.
“Këto stërvitje i keni të zakonta për t’u mësuar profesionin oficerëve tanë më të rinj, për përmbushjen e misionit të FA-ve, por edhe për të evidentuar dhe për të theksuar bashkëpunimin civil-ushtarak dhe për t’i ardhur në ndihmë komunitetit. Kjo stërvitje në fakt i vjen në ndihmë gjithë këtij rajoni me përmirësimin e infrastrukturës këtu, duke lidhur edhe shkollat edhe qendrat shëndetësore, dhe pastaj lehtëson lëvizjen e banorëve nga këtu me akset kryesore, duke qenë se është një zonë goxha e izoluar edhe dimri mund të jetë shumë i vështirë”.
Stërvitja ‘Kompaktësimi 2018’ shërben gjithashtu edhe për përgatitjen e xhenierëve të rinj të Forcave të Armatosura dhe trajnimin e manovratorëve, ndërkohë që segmenti i rehabilituar do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e banorëve të zonës.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.