Ndryshon taksimi për hidrokarburet – Baza e taksës do mbështet në ligj e jo në marrëveshje, Denaj: Reduktim i shmangies së pagesave
Komisioni parlamentar i Financave dhe Ekonomisë ka miratuar ligjin e ri për regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur, duke ndryshuar sistemin e taksave për kompanitë që kryejnë operacionet e kërkim-zbulimit dhe nxjerrjes së naftës dhe gazit në vend. Ministrja, Anila Denaj shpjegoi arsyet e hartimit të këtij ligji, duke synuar reduktimin e shmangies së pagesës së taksave dhe tatimeve.
Ndërkaq, komisoni i qëndroi variantit të sjellë nga qeveria në drejtim të kontratave që tashmë janë nënshkruar, pavarësisht ankesave të grupeve të interesit, që kërkuan një formulim tjetër, pasi sipas tyre prekeshin nga ndryshimet. Ministrja Denaj argumentoi se formulimi është bërë sipas rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare.
Ligji i ri synon t’i japë përparësi ligjit dhe më pas marrëveshjeve hidrokarbure të lidhura me kompanitë në drejtim të taksimit. Ndërkohë që, gjatë diskutimeve u saktësua se ai nuk prek kompanitë nënkontraktore, që do të vazhdojnë të jenë subjekt i ligjit tatimor.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.