Bien pagat te privati, rriten në shtet/ Korrik-Shtator 2020, INSTAT: Biznesi uli pagat me 3.6%, administrata i shtoi 1.4%
Për tremujorin e tretë të vitit 2020, sektori privat ka ulur ndjeshëm pagat krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndërkohë që e kundërta ka ndodhur me administratën publike, e cila I ka rritur me 1.4%. Sipas statistikave të pagave në vend, të sapo publikuara nga INSTAT, paga mesatare në administratën publike arriti në 64.3 mijë lekë në muaj në tremujorin e tretë të këtij viti, me një rritje prej 1.4% krahashuar me të mëparshmin, kur ishte 63.3 mijë lekë në muaj.
E kundërta ndodhi me sektorin privat, ku pagat ranë në nivelin e 47.4 mijë lekëve në muaj, 3.6% më pak se në tremujorin e mëparshëm kur paga mesatare arriti në 49.2 mijë lekë në muaj. Është thelluar gjithashtu edhe hendeku mes pagës mesatare në sektorin privat më atë shtetëror, me këtë të fundit që gëzon paga mesatare afërsisht 26% më të larta.
INSTAT raporton se Gjatë tremujorit të tretë 2020, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 77,5 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve (Profesione elementare) është 39,7 % më e ulët.
Gjithsesi, krahasimet në bazë vjetore me tremujorin e tretë 2020, flasin për rritje të pagës mesatare bruto.Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të tretë 2020, është 52.815 lekë, duke u rritur me 1,8 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të tretë 2020 paga mesatare bruto për grup-aktivitetin e Aktivitete të pasurive të paluajtshme; Aktivitete shkencore, profesionale dhe teknike; Aktivitete të shërbimeve administrative dhe mbështetëse, ka rritjen më të madhe prej 4,3 %, ndërsa Bujqësia, pyjet dhe peshkimi ka një ulje prej 8 %.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.