Në 6 familje, një ka biznes – Të dhënat e Instat, dominojnë ndërmarrjet familjare
Në bazë të të dhënave më të fundit të publikuara nga Instat, e që i referohen vitit 2016, në vendin tonë ka rreth 108 mijë ndërmarrje aktive.
Kjo do të thotë se, në Shqipëri ka një biznes çdo 26 banorë, ose 3700 biznese çdo 100 mijë banorë. Shifrat tregojnë gjithashtu se, në vendin tonë ka 3.7 biznese për çdo kilometër katrorë.
Duke llogaritur që familja mesatare shqiptare përbëhet nga 3.8 anëtarë, atëherë rezulton se, një në 6 familje shqiptare, përafërsisht, i siguron të ardhurat nga një biznes.
Në pjesën dërrmuese të rasteve bëhet fjalë për biznese të vogla, kryesisht familjare, që merren me tregti ose edhe me shërbime, pra dyqane të vogla ose bar-kafe.
Kjo vihet re edhe nga shifrat e publikuara nga Instat, ku saktësohet se, nga totali, rreth 96 mijë janë biznese të vogla, me 1 deri në katër punonjës. Mesatarisht, bizneset e vogla në vendin tonë numërojnë vetëm 1.6 punonjës.
Kur bëhet fjalë për bizneset e mëdha ndërkohë, shpërndarja është bindshëm më e vogël. Pra, për bizneset që bëjnë diferencën, ato të mëdha, e që në pjesën dërrmuese janë në sektorin e prodhimit, shqiptarët janë shumë prapa. Ndërmarrjet që prodhojnë zënë vetëm 13% të totalit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.