Negociatat për Brexit – Nuk është bërë progres vendimtar në raundin e tretë
Përfaqësuesit e Bashkimit Europian në bisedimet për Brexit kanë theksuar një mungesë të zhvillimeve në raundin e tretë të negociatave, duke thënë se nuk është bërë progres vendimtar në ndonjë prej pikave kryesore.
Michel Barnier, negociatori kryesor i Bashkimit Europian tha se bisedimet 3-ditore në Bruksel me homologun britanik, David Davis, ka siguruar një qartësim mbi shumë çështje, por shtoi se të dyja palët janë larg arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare për daljen e Britanisë.
“Nuk është bërë progres në asnjë prej subjekteve kryesore“, tha ai duke i’u referuar çështjes së të drejtave të qytetarëve dhe faturës që Britania duhet të paguajë. Ai pranoi se bisedimet mbi kufirin e Irlandës së Veriut, kanë qenë produktive.
Megjithatë, me çështjet kryesore që mbeten ende të pazgjidhura, Barnier tha se perspektiva e nisjes së bisedimeve mbi të ardhmen e marrëdhënieve mbetet larg. Dalja e Britanisë është planifikuar në datën 29 Mars 2019.
Komentet nga zyrtarët e Bashkimit Europian bëjnë kontradiktë me ato të David Davis, i cili tha se ka patur progres.
Megjithatë, ai bëri përsëri thirrje për një qasje më fleksibël nga Bashkimi Europian drejt bisedimeve dhe të lejojë që diskutimet mbi marrëveshjet e ardhshme mes vendeve të ndërmerren në të njëjtën kohë me negociatat për daljen.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.