Ngarkesa në punë! Mënyra të provuara shkencërisht, për të qenë të qetë
Në ditët e ngarkuara në punë, kur ju nxitoni të kapni objektivat në afatet e caktuara, ndieni një lloj tensioni në vetvete dhe kjo është mëse normale. Në këto situata është shumë e rëndësishme që gjendja psikologjike të bëhet përparësia kryesore, në mënyrë që niveli i stresit dhe ankthi të mos kenë peshë të madhe, e që mund të bëhen një barrë shtesë, duke shkaktuar ngadalësi dhe vonesa. Disa ndryshime të vogla në përditshmërinë tuaj mund të ulin ndjeshëm nivelin e stresit. Për të qenë sa më të çlirët dhe sa më të gatshëm për të tejkaluar javën tuaj të punës mund të provoni disa këshilla të provuara shkencërisht.
Pini çaj kamomili
Mëngjeseve, si dhe ditëve të ngarkuara në punë, ju mund të ndiheni të tunduar të mbushni filxhanin e dytë, apo të tretë me kafe. Kjo e fundit, me të vërtetë që ju jep shtysë, por mund t’ju bëjë të jeni më të stresuar se sa jeni aktualisht. Herën tjetër që ju do të ndjeni tundimin për të pirë diçka të ngrohtë në zyrë, kini parasysh çajin. Revista ndërkombëtare, “Psychopharmacology” ka zhvilluar një studim dhe ka arritur në përfundimin se pirja e çajit ul nivelin e hormonin të stresit, kortizolit, si dhe nxit çlodhjen subjektive. Ju duhet ta bëni këtë një zakon tuajin, sidomos kur keni ditë shumë të ngarkuara në punë. Shtojini filxhanit të çajit edhe një biskotë, ose dy, për të për t’i dhënë vetes një shtysë energjie. Provojeni ta zbatoni këtë këshillë në ditët e ngarkuara dhe do të shihni se efektshmëria juaj do të marrë një shtytje pozitive.
Dëgjoni muzikë
Muzika është një formë intime e artit dhe e të vetëshprehurit që arrin te njerëzit në nivele të ndryshme. Ajo mund të ketë një efekt qetësues, i cili është i përkryer për ditët e ngarkuara në zyrë, në varësi të parapëlqimeve personale, llojit, tekstit dhe ritmit të saj. Rrjeti social për shëndetin mendor, “Psych Central” ka publikuar një artikull ku theksohej një studim i tyre, se muzika, (kryesisht ajo klasike dhe instrumentale” qetëson mendjen dhe trupin, duke ngadalësuar rrahjet e zemrës, ulur presionin e gjakut dhe, për pasojë, edhe nivelin e hormoneve të stresit. Përpara se të niseni për në punë bëni gati një listë me këngët që pëlqeni më shumë, kështu që mund t’i dëgjoni gjatë ditës së punës.
Përdorni terapinë e aromave
Terapia e aromave është një teknikë që përdor vajra natyralë, për të përmirësuar shëndetin tuaj fizik e mendor. Studimi i “Holistic Nursing Practice“ ka arritur në përfundimin se nuhatja e vajrave të livandos dhe rozmarinës ka ulur nivelin e stresit të një grupi studentësh të mjekësisë, të cilët kanë qenë përpara provimit të diplomës. Kjo gjë u vu re nga ulja e koeficientëve të stresit që u morën parasysh në studim, nga deklaratat personale, si dhe nga rrahjet e zemrës. Studimi tjetër nga revista mjekësore “Psychiatry Research” tregoi se nuhatja për rreth pesë minuta e të dyja aromave, të rozmarinës dhe livandos ul nivelet e hormonit të stresit, kortizolit, te personat e përfshirë në këtë kërkim. Ju duhet të mbani shishe të vogla vaji rozmarine, apo livandoje në tavolinën tuaj të punës. Në momentin kur ju ndiheni të mbingarkuar, ose të hutuar, bëni një pushim të vogël, merrni frymë thellë dhe shijoni aromën. Ju, gjithashtu, mund të përdorni edhe të ndizni qirinj të vegjël aromatikë, të bërë me këto lloj vajrash e aromash, për t’u qetësuar në shtëpi.
Përtypni çamçakëz
Përtypja e çamçakëzit, nuk është vetëm një mënyrë e mirë për të shmangur atë bllokimin e veshëve kur ju udhëtoni me aeroplan, por edhe një mënyrë e efektshme për të ulur stresin. Studiuesit e “Swinburne University of Melbourne”, në Australi kanë marrë në shqyrtim 40 persona që u është stimuluar stres, në momente kur kanë përtypur çamçakëz, dhe në momente kur nuk kanë përtypur. Nivelet e stresit, ankthit dhe vigjilencës janë matur përpara dhe pas aktivitetit. Në momentin kur ata kanë përtypur çamçakëz është regjistruar një nivel më i ulët ankthi, me rreth 17% më pak. Ata kanë patur përmirësime të vigjilencës. Gjëja më e rëndësishme ka qenë matja e kortizolit, e cila rezultoi më e ulët te personat që përtypën çamçakëz.
Bëni një shëtitje
Eksperimenti i bërë nga “Psychology and Speech Pathology School”, në “Curtin University Australia”, ka arritur në përfundimin se bërja e një shëtitjeje gjatë kohës së drekës në punë mund të ndihmojë personat, për të ulur barrën e stresit gjatë pasdites. Kërkuesit kanë studiuar 75 anëtarë administrativë të stafit të universitetit, për një periudhë kohe prej 10 javësh dhe kanë arritur në përfundimin se personat janë ndjerë më të qetësuar, më entuziastë dhe më pak nervozë në ditët që kanë bërë shëtitje në orarin e drekës, në krahasim me ditët kur nuk kanë bërë shëtitje. Rrjedhimisht, duke bërë një ecje me miqtë, disa minuta, mund të përmirësojë moralin tuaj, si dhe do t’ju ndihmojë të jeni më të kthjellët në punë.
Caktoni kohën për të lexuar postën elektronike
Në ditën tuaj të punës mund të vijnë dhjetëra, apo edhe qindra e-mail-e, të cilat shtojnë shanset e stresit. Nëse ju vendosni një orar të caktuar për të kontrolluar postën tuaj elektronike, e jo t’i kontrolloni menjëherë kur vijnë, mund të ulë ndjeshëm nivelin e stresit. “University of British Columbia“ ka hartuar një studim, i cili ka arritur në përfundimin se në momentin kur personat kanë kontrolluar postën elektronike, tri herë në ditë, kanë patur më pak stres ditor, sesa kur e kanë kontrolluar atë gjatë gjithë kohës, gjatë gjithë ditës. Studiuesit kanë shpjeguar se kufizimi i numrit të herëve të kontrollit të postës, gjatë gjithë ditës, ul tensionin gjatë një aktiviteti të rëndësishëm, si dhe stresin. Në këtë mënyrë, ju mund të keni edhe një “justifikim” për të qenë më pak “i vëmendshëm”, në përgjigjen ndaj postës elektronike, pasi është më mirë për shëndetin tuaj!
Renato Hysenllari/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.