Nisma e re për “Ekspertin Fiskal”, ja si merret titulli nga ata që kanë studiuar në shkencat ekonomike dhe juridike.
Komisionet kuvendore pritet të shqyrtojnë në javët në vijim një nismë të depozituar në Kuvend nga anëtari i Komisioni parlamentar të Ekonomisë Gjovalin Kadeli.
Në thelb nisma synon të përfshijë në listën e profesioneve të rregulluara, profesionin e ekspertit fiskal dhe grupimin e tyre në një organizëm profesional. Në relacionin e nismës argumentohet se nevoja për rregullimin e një profesioni të tillë lind nga ndryshimet e rëndësishme që kanë ndodhur në legjislacionin fiskal të vendit. Rritja e ndjeshme e numrit të tatimpaguesve nga 90 mijë (bizneset) në 600 mijë (përfshirë individët që deklarojnë të ardhurat) konsiderohet se ka krijuar një barrë jo të vogël lidhur me njohjen dhe përmbushjen vullnetare të detyrimeve. E kjo vlerësohet se është e vështirë të realizohet nga të gjithë tatimpaguesit pa pasur asistencë të kualifikuar në këtë fushë.
Po ashtu, krijimi i Gjykatave Administrative është një proces tjetër, i cili kërkon njohjen dhe zbatimin e procedurave të cilat, për bizneset dhe për tatimpaguesit në përgjithësi, kërkon mbështetjen, mbrojtjen dhe përfaqësimin profesional e të drejtë.
“Pikërisht, krijimi i profesionit të ekspertit apo këshilltarit fiskal dhe rregullimi i tij nëpërmjet vendosjes së normave të domosdoshme për profesione të tilla, synon të zgjidhë problemet që krijohen nga këto zhvillime të vrullshme në financat publike dhe sistemin fiskal shqiptar. Rregullimi i këtij profesioni është i domosdoshëm, pasi është i lidhur me interesa madhore të financave publike dhe stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit” argumenton Kadeli në relacionin e nismës së tij. Paraqitja e këtyre ndryshimeve ligjore ka për qëllim organizimin dhe funksionimin e rregulluar të profesionit të ekspertit fiskal dhe grupimin e tyre në organizmin profesional përkatës.
“Eksperti fiskal do të operojë në fushën e dhënies së shërbimeve, përgatitjes dhe/ose paraqitjes se deklaratave tatimore të tatimpaguesve dhe pasqyrave mbështetëse fiskale, dhënien e këshillimit mbi planifikimin tatimor, përfaqësimin dhe mbrojtjen e tatimpaguesve para organeve administrative dhe gjykatave dhe dhënien e këshillimeve fiskale të tjera dhe shërbimeve të lidhura” vijon relacioni.
Aktualisht, shërbimi i ekspertit fiskal ofrohet nga kontabilistët, audituesit apo edhe avokatët.
Nisma parashikon krijimin e urdhërit të ekspertëve fiskalë ku do të grupohen të gjithë ekspertët që ushtrojnë veprimtari dhe do të drejtohet nga një Këshill Drejtues i përbërë nga 7 anëtarë, me kryetar e nënkryetar me mandat 5 vjeçar.
Ky urdhër do të mbështetet nga buxheti i shtetit dhe kuotat e anëtarësisë. Për t’u bërë ekspert fiskal, ligji parashikon minimalisht një eksperiencë pune 3 vjeçare nën mbikëqyrjen e një eksperti fiskalë të regjistruar në institut.
Personat që kanë së paku 5 vite që janë angazhuar në veprimtari profesionale në fushën e financave publik e legjislacionit fiskal në përgjithësi, përjashtohen nga detyrimi për këtë detyrim të praktikës profesionale megjithatë do të duhet që të japin provimin e certifikimit ashtu si kandidatët e tjerë. Kushtet ligjore për t’u bërë ekspert fiskal janë dëshmia e pastër e penalitetit dhe arsimimi i lartë në shkencat ekonomike (si kontabilitet, financë, administrim biznesi, ekonomiks) ose në shkencat juridike apo të barazvlefshme me to.
Kandidatet që përfundojnë me sukses provimin e shtetit në fushën e financave publike dhe kontabilitetit fiskal, legjislacionit fiskal dhe të drejtës tregtare, u jepet titulli “Ekspert Fiskal”
Funksionet që kryhen nga ekspertët fiskalë:
A. Planifikimi Tatimor
B. Këshillimi Ndihmës për Shërbimet Financiare dhe të Tjera
C. Përgatitja dhe Auditimi Fiskal i Llogarive Tregtare
D. Përgatitja e Deklaratave Tatimore
E. Përfaqësimi i Tatimpaguesit Para Administratës Tatimore
F. Përfaqësimi para gjykatave
(k.k)
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.